Nuk ka mënyra të sigurta për të parandaluar shfaqjen e ekzemës tek fëmijët, por ekzistojnë shumë opsione efektive trajtimi, thuhet në udhëzimet e reja të publikuara nga American Academy of Dermatology.
Sipas ekspertëve, praktikat e zakonshme si dietat speciale, shmangia e larjes, ushqyerja me gji apo përdorimi i probiotikëve nuk kanë treguar efekt në parandalimin e kësaj sëmundjeje të lëkurës, e njohur edhe si Dermatiti atopik.
Megjithatë, për fëmijët që zhvillojnë ekzemë, ekzistojnë shumë metoda trajtimi që ndihmojnë në lehtësimin e simptomave si kruarja, tharja dhe skuqja e lëkurës.
Ekspertët theksojnë se përdorimi i kremrave hidratues është ndër masat kryesore për qetësimin e lëkurës, ndërsa në rastet më të theksuara përdoren edhe kremra me steroid apo terapi të tjera specifike.
Gjithashtu, në disa raste rekomandohen trajtime më të avancuara për format më të rënda të sëmundjes.
Udhëzimet theksojnë rëndësinë e fillimit të hershëm të trajtimit, pasi kjo mund të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e jetës së fëmijëve dhe familjeve të tyre.
Sipas të dhënave, ekzema prek deri në një të katërtën e fëmijëve në nivel global, duke e bërë një nga problemet më të shpeshta të lëkurës në moshat e hershme.


