Studimet e fundit jo vetëm që theksojnë rëndësinë e mikrobiomës, por japin edhe tregues të qartë se si ndryshimet në bakteret e zorrëve mund të sinjalizojnë ose të ndikojnë në rezultate specifike shëndetësore.
Shpesh i quajtur “truri i dytë” i trupit, zorra po njihet gjithnjë e më shumë për rolin e saj në shëndetin e përgjithshëm. Hulumtimet e reja sugjerojnë se ajo mund të luajë një rol të drejtpërdrejtë në plakjen e trurit, ndërsa studime të tjera po fillojnë të përcaktojnë se si duket në të vërtetë një zorrë “e shëndetshme”, shkruan burimi Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Në qendër të kësaj është mikrobioma – termi që përshkruan triliona mikroorganizma që jetojnë në një mjedis të caktuar, siç është zorra e njeriut.
Mikrobioma dhe plakja e trurit
Studiues nga “Stanford Medicine dhe Arc Institute”, u përpoqën të kuptonin pse disa njerëz përjetojnë rënie njohëse më herët se të tjerët.
“Ajo që mësuam është se afati kohor i rënies së kujtesës nuk është i paracaktuar; ai modifikohet në mënyrë aktive në trup, dhe trakti gastrointestinal është një rregullator kyç i këtij procesi,” tha Christoph Thaiss, PhD, profesor asistent i patologjisë.
Ata analizuan mikrobiomën e zorrëve – popullatën natyrore të baktereve në zorrë dhe zbuluan se ajo ndryshon me moshën. Tek minjtë e moshuar, disa grupe bakteresh bëhen më të zakonshme.
Këto ndryshime zbulohen nga qelizat imunitare në zorrë, të cilat nxisin inflamacion. Kjo ndërpret komunikimin mes zorrës dhe trurit, duke e bërë më të vështirë që nervi vagus të dërgojë sinjale në hipokampus, rajoni përgjegjës për kujtesën.
Kur studiuesit stimulonin këtë nerv tek minjtë e moshuar, kujtesa përmirësohej ndjeshëm: kafshët arrinin të dallonin objekte të reja dhe të orientoheshin në labirinte po aq mirë sa minjtë e rinj.
Zorra si “telekomandë” e trurit
“…përbërja e traktit gastrointestinal – një lloj telekomande për trurin.”
“Zakonisht e shohim rënien e kujtesës si një proces që ndodh vetëm brenda trurit,” tha Thaiss. “Por ky studim tregon se ne mund të përmirësojmë formimin e kujtesës dhe aktivitetin e trurit duke ndryshuar përbërjen e traktit gastrointestinal – një lloj telekomande për trurin.”
Këto gjetje sugjerojnë se, në vend që plakja e trurit të lidhet vetëm me vetë trurin, faktorë të tjerë në trup – si zorra – luajnë një rol të madh në ruajtjen e mprehtësisë mendore.
Kjo hap rrugën për qasje të reja në mbrojtjen e kujtesës, duke përfshirë dieta të personalizuara, probiotikë dhe terapi që stimulojnë nervin vagus. /Gazeta Shneta/


