Një studim i ri shkencor sugjeron se përdorimi i ëmbëlsuesve artificialë mund të ketë pasoja më të gjera sesa mendohej, duke ndikuar jo vetëm në shëndetin metabolik, por potencialisht edhe te brezat pasues.
Hulumtimi, i publikuar në revistën Frontiers in Nutrition, analizoi efektet e dy ëmbëlsuesve të përdorur gjerësisht – sucralose dhe stevia – në modele eksperimentale me minj.
Sipas studiuesve, këta ëmbëlsues mund të ndikojnë në mikrobiomën e zorrëve dhe në shprehjen e gjeneve, faktorë të lidhur ngushtë me metabolizmin dhe shëndetin e përgjithshëm.
Rezultatet treguan se minjtë që konsumonin ëmbëlsues kishin ndryshime në bakteret e zorrëve dhe nivele më të ulëta të acideve yndyrore me zinxhir të shkurtër – substanca të rëndësishme për funksionimin normal të organizmit.
Po ashtu, u vunë re ndryshime në mënyrën se si trupi rregullon sheqerin në gjak, një tregues i hershëm për çrregullime si diabetes.
Një nga gjetjet më shqetësuese ishte se disa nga këto ndryshime mund të transmetohen nga një brez në tjetrin.
Në veçanti, sucralose u shoqërua me efekte më të forta dhe më të qëndrueshme, duke ndikuar në rritjen e sheqerit në gjak dhe në aktivizimin e gjeneve që lidhen me inflamacionin, edhe te pasardhësit.
Ndërsa stevia pati ndikime më të lehta dhe më pak të qëndrueshme ndër breza.
Autorët e studimit theksojnë se këto rezultate nuk provojnë drejtpërdrejt se ëmbëlsuesit shkaktojnë sëmundje te njerëzit, pasi hulumtimi është kryer te kafshët dhe efektet mund të ndryshojnë te njerëzit.
Megjithatë, ata nënvizojnë nevojën për më shumë studime mbi ndikimin afatgjatë të këtyre substancave.
Ekspertët sugjerojnë se konsumimi me moderim i ëmbëlsuesve artificialë mund të jetë një qasje e arsyeshme, derisa shkenca të japë përgjigje më të qarta mbi efektet e tyre në shëndet./Gazeta Shneta/


