Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë seancës së sotme, ka deklaruar se pagesat e paekzekutuara për orët shtesë dhe kujdestaritë e stafit shëndetësor do të kryhen me pagën e muajit prill.
Sipas tij, vonesat kanë ardhur si pasojë e miratimit të vonshëm të buxhetit, gjë që ka pamundësuar ekzekutimin e pagesave në kohë, shkruan Gazeta Shneta.
“Për çdo punë që bëjnë mjekët dhe stafi shëndetësor, kjo Qeveri nuk do t’u mbetet borxh. Në mënyrë retroaktive do t’u paguhen orët e kujdestarive dhe të gjitha shtesat, që kapin vlerën prej 4 milionë e 450 mijë euro,” ka deklaruar Vitia.
Ai shtoi se këto mjete do t’u ekzekutohen të gjithë punëtorëve shëndetësorë në javët në vazhdim, për çdo orë pune të realizuar.
“Ju kërkojë ndjesë të gjithë atyre që nuk i morën me kohë këto shtesa por ka qenë e pamundur sepse buxheti është vonuar dhe s’kemi pasur mundësi ekzekutimi për tre muajt e parë.I bie edhe tri javë, me pagën e prillit”
Kujtojmë se punëtorëve shëndetësorë në QKUK tash e tre muaj nuk u janë ekzekutuar pagesat për orët shtesë dhe kujdestaritë./Gazeta Shneta/




