Një studim i ri tregon se rrjetet sociale janë të mbushura me informacione të pasakta mbi shëndetin mendor, duke krijuar rrezik sidomos për të rinjtë që i përdorin këto platforma për të kuptuar simptomat e tyre.
Sipas studimit, mbi 50% e publikimeve për tema si autizmi, ADHD, depresioni apo ankthi përmbajnë informacion të pasaktë ose të pabazuar, shkruan burimi Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit analizuan 27 studime mbi saktësinë e përmbajtjes në platforma si TikTok, YouTube, Facebook, Instagram dhe X.
Rezultatet treguan se deri në 56% e 5,000 postimeve ishin të pasakta, me nivelin më të lartë të dezinformimit në përmbajtjet për neurodivergjencën, si autizmi dhe ADHD.
Sipas Eleanor Chatburn nga Universiteti i East Anglia, përmbajtjet tërheqëse shpërndahen lehtësisht edhe kur nuk janë të sakta.
Veçanërisht në TikTok, ku 52% e videove për ADHD dhe 41% për autizëm përmbanin dezinformim. Krahasuar me këtë, YouTube kishte mesatarisht 22% dhe Facebook rreth 15%.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, një në shtatë të rinj të moshës 10–19 vjeç përjeton çrregullime mendore.
Shumë prej tyre i drejtohen rrjeteve sociale për vetë-diagnostikim, gjë që mund të çojë në keqkuptime dhe stigmatizim. Ekspertët paralajmërojnë se kjo mund të vonojë trajtimin e duhur dhe të rrisë rrezikun e keqdiagnostikimit.
Megjithatë, përfaqësues të TikTok dhe YouTube kundërshtuan gjetjet, duke theksuar se ata marrin masa për të hequr informacionin e dëmshëm dhe për të promovuar burime të besueshme.
Studimi thekson nevojën për më shumë burime të sakta dhe edukim digjital, në mënyrë që përdoruesit, sidomos të rinjtë – të jenë më të mbrojtur nga dezinformimi në internet. /Gazeta Shneta/


