Studiuesit po shqyrtojnë gjithnjë e më shumë vaksinat ekzistuese si një mënyrë të mundshme për të ulur rrezikun e sëmundjes së Alzheimerit dhe formave të tjera të demencës. Një ndër vaksinat më premtuese është vaksina kundër gripit, e cila sipas studimeve të mëparshme lidhet me mbrojtje më të madhe për shëndetin e trurit.
Një studim i ri, i publikuar në revistën “Neurology”, tregon se të moshuarit që marrin dozën e lartë të vaksinës së gripit mund të kenë përfitime edhe më të mëdha sesa ata që marrin dozën standarde. Sipas studiuesve, kjo formë vaksine mund të ulë ndjeshëm rrezikun për zhvillimin e Alzheimerit.
Sipas burimit Medical News Today, studiuesit analizuan të dhënat shëndetësore të rreth 200 mijë personave mbi moshën 65-vjeç.
Rezultatet treguan se personat që kishin marrë dozën e lartë të vaksinës së gripit kishin rreth 55% më pak rrezik për Alzheimer, ndërsa ata që kishin marrë dozën standarde kishin rreth 40% më pak rrezik.
Ekspertët shpjegojnë se vaksina me dozë të lartë u jepet shpesh personave mbi 65 vjeç, pasi sistemi imunitar bëhet më pak reagues me kalimin e moshës. Doza më e fortë ndihmon trupin të krijojë mbrojtje më të fuqishme ndaj infeksioneve, çka mund të ndikojë pozitivisht edhe në mbrojtjen e trurit.
Studimi vuri re gjithashtu se efekti mbrojtës ishte më i fortë te gratë sesa te burrat.
Shkencëtarët mendojnë se kjo lidhet me ndryshimet natyrore të sistemit imunitar mes gjinive, pasi gratë zakonisht krijojnë përgjigje më të fuqishme me antitrupa ndaj vaksinave.
Megjithëse nevojiten kërkime të tjera, rezultatet sugjerojnë se vaksinimi i rregullt kundër gripit, veçanërisht me dozën e lartë te të moshuarit, mund të jetë një mjet i rëndësishëm për uljen e rrezikut nga Alzheimeri dhe ruajtjen e funksioneve njohëse në pleqëri. /Gazeta Shneta/


