Mjetet që përdorin mjekët për diagnostikimin e sëmundjes së Alzheimerit mund të mos zbulojnë gjithmonë shenjat paralajmëruese te gratë, sipas një studimi të ri. Kjo është veçanërisht e rëndësishme pasi gratë përbëjnë pothuajse dy të tretat e rasteve me Alzheimer në Shtetet e Bashkuara.
Sipas studiuesve nga Universiteti Shtetëror i Xhorxhias, testet standarde përdorin të njëjtën mënyrë vlerësimi për të gjithë pacientët, pa marrë parasysh ndryshimet biologjike mes trurit të burrave dhe grave gjatë plakjes.
Studimi i publikuar më 3 prill në revistën “Brain Communications”, u përqendrua te një test i njohur për zbulimin e dëmtimit të lehtë njohës (MCI), faza ndërmjet plakjes normale dhe Alzheimerit të zhvilluar, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Rezultatet treguan se një grua mund të marrë pikë të larta në testin 30-pikësh, edhe pse truri i saj tashmë po përballet me ndryshime të rëndësishme. Studiuesit analizuan skanimet MRI të 332 personave dhe matën vëllimin e lëndës gri, pjesa e trurit që lidhet me mendimin, lëvizjen dhe kujtesën.
U vu re se truri i grave ka aftësi më të madhe kompensuese në fazat e hershme të dëmtimit, duke përdorur më shumë zona të trurit për të ruajtur funksionimin normal. Kjo mund ta fshehë sëmundjen nga testet tradicionale.
Megjithatë, pasi shfaqet dëmtimi i lehtë njohës, përkeqësimi te gratë bëhet më i shpejtë dhe më i përhapur.
Kjo do të thotë se kur rezultatet e testit fillojnë të bien, dëmtimi fizik i trurit mund të jetë tashmë i avancuar, duke vonuar trajtimin.
Studiuesit besojnë se në të ardhmen diagnostikimi mund të personalizohet sipas gjinisë, hormoneve dhe faktorëve gjenetikë, për të mundësuar ndërhyrje më të hershme dhe më të sakta.
Aktiviteti mendor e fizik, kujdesi për shëndetin vaskular dhe konsultimi me mjekun mbeten hapa të rëndësishëm për mbrojtjen e trurit. /Gazeta Shneta/


