Para takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, kryeministri i vendit Albin Kurti u shpreh se shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk është opsion.
Kurti deklaroi se zgjedhja e presidentit është detyrë kushtetuese e të zgjedhurve të popullit.
“Kjo kërkon vullnet për zgjidhje, gatishmëri për kompromis dhe vendime jo të lehta. Ne e dimë që nuk ka parti që mund të pretendojë që i fiton 80 e më shumë deputetë, andaj duhet të pranohet rezultati i zgjedhjeve, dhe nga ato pozicione të zhvillohen diskutime të sinqerta e të arsyeshme në interesin më të mirë të vendit tonë. Ne jemi të hapur për zgjidhje e cila i përgjigjet vullnetit qytetar”, tha kryeministri në mbledhjen e Qeverisë.



