Një studim i ri shkencor ka treguar se ushtrimet fizike dhe përdorimi i dozave të ulëta të Ibuprofen mund të ndihmojnë në reduktimin e problemeve njohëse që shfaqen te pacientët që i nënshtrohen kimioterapisë.
Sipas hulumtimit të publikuar në revistën Cancer, deri në 80% e pacientëve që marrin kimioterapi përjetojnë dëmtime të funksioneve njohëse, të njohura si “kancer-related cognitive impairment”, që përfshijnë vështirësi në përqendrim, harresë dhe probleme me kryerjen e disa detyrave njëkohësisht.
Studimi i fazës II përfshiu 86 pacientë me kancer, të cilët u ndanë në katër grupe për një periudhë gjashtëjavore: ushtrime fizike sipas programit EXCAP së bashku me ibuprofen, ushtrime me placebo, vetëm ibuprofen dhe vetëm placebo.
Rezultatet treguan se pacientët që ndoqën programin e ushtrimeve patën përmirësim të ndjeshëm në përqendrim krahasuar me grupin placebo. Edhe grupi që mori vetëm ibuprofen shfaqi përmirësime, megjithëse më të kufizuara dhe jo në të gjitha aspektet e funksionit njohës.
Nga ana tjetër, studiuesit vunë re se përdorimi i ibuprofenit mund të ketë ndikim më të vogël në kujtesën afatshkurtër verbale, një aspekt që kërkon hulumtime të mëtejshme.
Autorët e studimit theksojnë se ushtrimet fizike duket se kanë efekt më të qëndrueshëm dhe më të theksuar në përmirësimin e funksioneve njohëse te pacientët me kancer, ndërsa përdorimi i barnave anti-inflamatore mund të ketë rol shtesë, por jo gjithmonë të njëjtë.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se çdo ndërhyrje, përfshirë aktivitetin fizik apo përdorimin e medikamenteve, duhet të diskutohet paraprakisht me mjekun përkatës, për të shmangur kundërindikacionet e mundshme.
Studiuesit theksojnë se nevojiten studime të mëtejshme të fazës III për të konfirmuar këto gjetje dhe për të përcaktuar dozën dhe kohëzgjatjen optimale të këtyre ndërhyrjeve./Gazeta Shneta/


