Close Menu
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Psikologji
  • Logopedi
  • Fizioterapi
Facebook X (Twitter) Instagram
Facebook X (Twitter) YouTube
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Më shumë
    • Psikologji
    • Logopedi
    • Fizioterapi
Gazeta ShnetaGazeta Shneta

“Nuk ka gjë më të bukur në jetë se sa të shpëtosh një jetë njeriu” – Dr. Vjollca Haklaj, specialiste e mjekësisë emergjente në QKUK

Lajme 24/04/2026
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Reddit Email Telegram
Shpërndaje
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Email Telegram

Në një ambient ku çdo minutë ka peshë dhe çdo vendim mund të jetë vendimtar, mjekësia emergjente mbetet një nga fushat më sfiduese të mjekësisë.

Për Dr. Vjollca Haklaj, specialiste e mjekësisë emergjente në QKUK, kjo nuk është vetëm profesion, por një mision i përditshëm për të shpëtuar jetë, shkruan Gazeta Shneta.

Rrugëtimi i saj drejt këtij profesioni nisi herët, ajo kujton se gjithmonë e ka tërhequr ideja për të ndihmuar të tjerët dhe për të kuptuar funksionimin e trupit të njeriut.

“Rrugëtimi im në mjekësi ka nisur që në fëmijëri, pasi gjithmonë më ka tërhequr ideja për të ndihmuar të tjerët dhe për të kuptuar funksionimin e trupit të njeriut, interesi u forcua gjatë viteve të shkollimit, i ndikuar edhe nga literatura dhe filmat me tematikë mjekësore, të cilët i dhanë një pasqyrë më të qartë për përgjegjësinë e këtij profesioni,” thotë Dr. Haklaj.

Megjithatë, ishte përballja me rastet emergjente gjatë praktikës që përcaktoi drejtimin e saj përfundimtar.

“Ishin pikërisht rastet emergjente ato që më tërhoqën më shumë. Dinamika, nevoja për vendimmarrje të shpejtë dhe ndikimi i menjëhershëm në jetën e pacientëve më bënë të kuptoj se kjo është fusha ku mund të jap kontributin tim më të madh”, theksoi ajo.

Në Klinikën Emergjente të QKUK-së, dita e saj e punës është e mbushur me vendimmarrje të shpejta dhe përgjegjësi të mëdha. Ajo merret me vlerësimin dhe stabilizimin e pacientëve në gjendje urgjente, duke bashkëpunuar ngushtë me ekipin multidisiplinar dhe duke siguruar vazhdimësinë e kujdesit. Një pjesë po aq e rëndësishme mbetet edhe komunikimi me pacientët dhe familjarët e tyre, shpesh në situata të vështira emocionale.

Me mbi 15 vite përvojë në Klinikën Emergjente, ajo e përshkruan këtë rrugëtim të llojit intensiv dhe formues.

“Gjatë këtyre viteve kam pasur mundësinë të përballem me një gamë shumë të gjerë rastesh, nga urgjencat e zakonshme deri te situatat më kritike që kërkojnë reagim të menjëhershëm dhe vendimmarrje të shpejtë. Kjo përvojë më ka ndihmuar të zhvilloj qëndrueshmëri profesionale, aftësi të forta klinike dhe një qasje të strukturuar në menaxhimin e pacientëve, veçanërisht në rastet traumatike dhe ato me rrezik të lartë për jetën. Gjithashtu, puna në një ambient dinamik si emergjenca ka forcuar aftësinë time për të punuar në ekip dhe për të ruajtur qetësinë në situata me presion të lartë. Pavarësisht sfidave të vazhdueshme, kjo përvojë ka qenë jashtëzakonisht e vlefshme dhe motivuese, duke më dhënë mundësinë të kontribuoj drejtpërdrejt në kujdesin ndaj pacientëve në momentet më kritike dhe të zhvillohem vazhdimisht si profesioniste, thotë Dr. Haklaj.

Sipas saj traumat janë ndër rastet më të shpeshta me të cilat përballen në emergjencë.

“Më së shpeshti përballemi me trauma nga aksidentet rrugore, lëndime nga rëniet dhe trauma të ndryshme fizike që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, këto raste kërkojnë jo vetëm shkathtësi klinike, por edhe koordinim të lartë në ekip dhe vendimmarrje të menjëhershme”, shpjegon ajo.

Në këtë kontekst, ajo thekson se koha është një faktor vendimtar në mjekësinë emergjente, ku çdo sekondë mund të ndryshojë rezultatin për pacientin.

Gjatë punës në mjekësinë emergjente, ajo thotë se ka shumë raste që lënë gjurmë të veçanta si në aspektin profesional ashtu edhe në atë njerëzor.

“Veçanërisht mbresëlënëse janë rastet e pacientëve në gjendje të rëndë, ku përmes ndërhyrjes së shpejtë dhe punës në ekip arrihet stabilizimi i tyre,” thotë ajo.

Megjithatë, sfidat nuk mungojnë. Një ndër më të mëdhatë mbetet fluksi i lartë i pacientëve, ku shumë raste nuk janë urgjente reale.

“Një pjesë e konsiderueshme e këtyre rasteve nuk janë urgjenca reale, por gjendje që mund të trajtohen në nivelet e kujdesit parësor apo në spitalet rajonale. Kjo krijon mbingarkesë të stafit dhe ndikon në kohën dhe fokusin që kërkohet për rastet vërtet kritike dhe kërcënuese për jetën. Një sfidë tjetër është natyra dinamike dhe e paparashikueshme e punës, ku shpesh kërkohet menaxhim i njëkohshëm i disa pacientëve në gjendje të rëndë, duke vënë në provë kapacitetin organizativ dhe burimet njerëzore të klinikës”, shprehet Dr. Haklaj.

Gjithashtu, ajo ka një mesazh për të rinjtë që duan ta zgjedhin këtë profesion:

“Mjekësia emergjente është sfiduese, por shumë e vlefshme. Nëse ke pasion për të ndihmuar të tjerët dhe je i gatshëm për sakrifica, atëherë ky profesion të jep një përmbushje të jashtëzakonshme sepse ke mundësinë reale të shpëtosh jetë çdo ditë. Nuk ka gjë më të bukur në jetë se sa të shpëtosh një jetë njeriu”, thotë ajo.

Në fund, mesazhi i saj për qytetarët për të shmangur situata emergjente:

“Është shumë e rëndësishme që çdo qytetar të dijë hapat bazë të ndihmës së parë dhe të reagojë me kohë në situata emergjente, gjithashtu, është shumë e rëndësishme kujdesi në trafik dhe në vendin e punës, pasi një pjesë e madhe e emergjencave lidhen me aksidente që mund të parandalohen. Edukimi shëndetësor dhe vetëdijesimi luajnë rol kyç në uljen e rasteve emergjente”.

– Dr. Vjollca Haklaj, specialiste e mjekësisë emergjente në QKUK

/Gazeta Shneta/

Artikulli paraprakNdryshimet klimatike dhe shëndeti në Evropë: Koha për masa mbrojtëse po mbaron
Artikulli i rradhës Parashikimi i motit për sot

Ju sugjerojmë

Katër të lënduar nga përplasja e veturës me motoçikletë në Istog

22/07/2026 Lajme

Testi i drogës, Kadrijaj: Ka politikanë që e përdorin, shihen prej sjelljeve

22/07/2026 Lajme

Delegacionet nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi vizitojnë Kosovën për të mësuar modelin e Programit për Ndërhyrjen në Fëmijërinë e Hershme

22/07/2026 Lajme

Punësohen 25 anesteziologë të rinj, zbutet mbingarkesa në spitale

22/07/2026 Lajme

Shkelje të rënda të kushteve të punës, Inspektorati mbyll 6 kantiere ndërtimi në Fushë Kosovë dhe Prishtinë

22/07/2026 Lajme

Komunat kërkojnë ndihmë urgjente pas stuhisë: Dëmet mbi 1 milion euro në Suharekë, shtatë shkolla të dëmtuara në Malishevë

22/07/2026 Lajme
Na ndiqni
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
  • YouTube
Rreth nesh
Rreth nesh

Gazeta Shneta është produkt medial që i kushtohet vetëm shëndetësisë.

Këshillat mjekësore të postuara nga Gazeta Shneta janë të natyrës edukative.

Kontakt

Pronari i medias: Bujar Vitija

Redaktore: Diana Basholli

Email: [email protected]

Adresa: Rr. Vicianum, Prishtinë, pn.

Marketing

Email: [email protected]

Tel: +383 44 701 781

Përmbajtja

Gazeta Shneta është e hapur ndaj partnerëve të marketingut.

Linqe

Privacy Policy

Facebook X (Twitter) Instagram YouTube
© 2026 Gazeta Shneta

Shkruani fjalën dhe klikoni Search/Enter për të kërkuar. Klikoni X për ta anuluar.