Kruarja e vazhdueshme nuk është gjithmonë një problem i thjeshtë i lëkurës, por në disa raste mund të jetë sinjal i sëmundjeve më serioze, paralajmërojnë mediat ndërkombëtare dhe ekspertët e dermatologjisë.
Sipas raportimeve, kruarja (pruriti) është një nga simptomat më të shpeshta në popullatë dhe, kur bëhet kronike, mund të ndikojë ndjeshëm në cilësinë e jetës, në disa raste duke u krahasuar edhe me dhimbjen kronike, shkruan BBC News, transmeton Gazeta Shneta.
Specialistët theksojnë se, megjithëse shpesh lidhet me probleme të lëkurës si psoriaza, dermatiti atopik dhe zgjebja, kruarja mund të jetë edhe shenjë e sëmundjeve të brendshme më të rënda.
Sipas ekspertëve të cituar në këto media, pruriti mund të shoqërojë probleme si insuficienca e mëlçisë dhe insuficienca e veshkave, si dhe sëmundje metabolike si diabeti. Në disa raste, ai lidhet edhe me çrregullime të sistemit nervor (neuropati) apo probleme të shëndetit mendor.
Një formë e veçantë është kolestaza e shtatzënisë, një gjendje që shfaqet tek gratë shtatzëna dhe kërkon vëmendje mjekësore, pasi mund të ketë pasoja për nënën dhe foshnjën.
Mjekët këshillojnë që kruarja që zgjat për javë apo muaj, sidomos kur nuk shoqërohet me ndryshime të dukshme në lëkurë, nuk duhet neglizhuar. Në këto raste, rekomandohet konsultë me mjekun për të përjashtuar sëmundje të fshehura dhe për të marrë trajtimin e duhur. /Gazeta Shneta/


