Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka përcjellë në pension Dr. Ajhan Sefiun, specialiste e mikrobiologjisë dhe Drejtoreshë e Qendrës Rajonale të Shëndetësisë Publike (QRSHP) në Gjilan, duke shënuar përmbylljen e një karriere të gjatë dhe të përkushtuar në shërbim të shëndetit publik.
Me këtë rast, Drejtoresha Ekzekutive e IKSHPK-së, Dr. Ardita Baraku, vlerësoi lart angazhimin dhe profesionalizmin e Dr. Sefiu, duke e cilësuar atë si një profesioniste të palodhur dhe udhëheqëse të përkushtuar, e cila ka dhënë një kontribut të çmuar ndër vite, përcjell Gazeta Shneta.
Për 27 vite, Dr. Ajhan Sefiu ka qenë një nga figurat kyçe të shëndetit publik në rajonin e Gjilanit. Ajo ka shërbyer si mikrobiologe dhe ka udhëhequr QRSHP Gjilan me përgjegjësi dhe përkushtim, duke lënë gjurmë të rëndësishme në zhvillimin e institucionit dhe forcimin e shërbimeve shëndetësore në komunitet.
Në fjalën e saj përmbyllëse, Dr. Sefiu shprehu mirënjohje për kolegët dhe bashkëpunëtorët ndër vite, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit profesional dhe duke uruar që shërbimet e shëndetit publik të vazhdojnë të avancohen më tej në Kosovë.
IKSHPK-ja i ka uruar Dr. Ajhan Sefiu shëndet të mirë, lumturi dhe shumë gëzime në këtë fazë të re të jetës, pranë familjes dhe më të dashurve të saj. /Gazeta Shneta/




