Klinika e Kardiologjisë e QKUK-së ka shënuar një hap të rëndësishëm në trajtimin e çrregullimeve të ritmit të zemrës, duke realizuar me sukses shtatë raste të studimit elektrofiziologjik të zemrës dhe ablacionit.
Lajmi është bërë i ditur nga kardiologu Xhevdet Krasniqi. Ky zhvillim përputhet me praktikat bashkëkohore të trajtimit të aritmive në qendrat moderne shëndetësore, shkruan Gazeta Shneta.
Sipas Asociacionit Amerikan të Zemrës, elektrofiziologjia e zemrës është një degë e specializuar e kardiologjisë që merret me diagnostikimin dhe trajtimin e çrregullimeve të ritmit të zemrës, të njohura si aritmi.
Ndërsa, përmes studimit elektrofiziologjik, mjekët analizojnë aktivitetin elektrik të zemrës duke përdorur kateterë të hollë që futen në enët e gjakut dhe drejtohen deri në zemër. Ky proces mundëson identifikimin e saktë të zonave që shkaktojnë ritme jonormale.
Një nga metodat më efektive të trajtimit që shpesh pason këtë studim është ablacioni. Sipas Klinikës Kleveland, kjo procedurë minimalisht invazive përdoret për të shkatërruar indet e vogla të zemrës që janë përgjegjëse për sinjalet elektrike të çrregullta të zemrës.
/Gazeta Shneta/




