Laboratori Referent i Influencës në Departamentin e Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka përmbyllur me sukses vlerësimin ndërkombëtar të cilësisë për vitin 2025, të organizuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Ky vlerësim është pjesë e programit global për monitorimin e influencës (virusi i gripit).
Sipas njoftimit zyrtar nga IKShPK-ja, programi i vlerësimit të jashtëm të cilësisë (EQA) shërben për të kontrolluar saktësinë e testeve laboratorike dhe për të siguruar standarde të njëjta në diagnostikimin e viruseve respiratore në nivel ndërkombëtar, transmeton Gazeta Shneta.
Vlerësimi i vitit 2025 përfshiu disa fusha kryesore të testimit, duke përfshirë detektimin e virusit të influencës (gripit), COVID-19 dhe virusit respirator sincicial (RSV) me metodën PCR. Po ashtu, u realizua edhe analiza gjenomike për identifikimin e varianteve të virusit të influencës.
Ky laborator ka arritur rezultate maksimale në të gjitha komponentët e testimit, thuhet mes tjerash në njoftim. Të gjitha mostrat janë identifikuar saktë, raportimet janë bërë brenda afateve të kërkuara dhe vlerësimi përfundimtar nga OBSH ka qenë pozitiv dhe i plotë.
IKShPK thekson se do të vazhdojë të fuqizojë kapacitetet laboratorike dhe të kontribuojë në përmirësimin e gatishmërisë ndaj sëmundjeve infektive, duke mbetur i fokusuar në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Komunikata e plotë:




