Ndotja e ajrit mbetet një nga kërcënimet më serioze për shëndetin publik në Evropë. Të dhënat e fundit tregojnë se deri në 20 për qind e stacioneve monitoruese regjistrojnë nivele ndotjeje mbi standardet aktuale të Bashkimit Evropian.
Sipas raportit të Agjencia Evropiane e Mjedisit, përqendrimet më të larta të grimcave të imëta PM2.5 janë regjistruar në Itali, duke e renditur atë në krye të listës së vendeve më të ndotura në këtë aspekt, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
PM2.5 është një ndotës i rrezikshëm që depërton thellë në mushkëri dhe në qarkullimin e gjakut, duke rritur rrezikun për sëmundje të zemrës, mushkërive dhe vdekje të parakohshme.
Në periudhën 2024–2025, qytetet italiane Ceglie Messapica dhe Torchiarolo kanë regjistruar nivele alarmante prej 117 dhe 113 mikrogramë për metër kub, shumë mbi kufirin e lejuar vjetor prej 25 μg/m3.
Ekspertët lidhin këto nivele të larta kryesisht me djegien e biomasës gjatë dimrit, si dhe me kushtet atmosferike që pengojnë shpërndarjen e ndotjes.
Problematike mbetet edhe veriu i Italisë, një nga zonat më të industrializuara në Evropë.
Përveç Italisë, nivele të larta të ndotjes janë regjistruar edhe në Poloni, Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi, Maqedoni të Veriut, Rumani, Turqi dhe Danimarkë.
Rajoni i Ballkanit dhe Evropa Lindore paraqiten ndër më të rrezikuarit, jo vetëm për shkak të niveleve të ndotjes, por edhe për shkak të ndikimit në shëndet.
Sipas vlerësimeve, këto zona kanë normat më të larta të vdekshmërisë të lidhura me ekspozimin afatgjatë ndaj PM2.5, duke përfshirë Shqipëri, Bullgari, Greqi dhe Rumani.
Në anën tjetër, vendet e Evropës Veriore si Islandë, Finlandë, Suedi, Estoni dhe Norvegji raportojnë nivelet më të ulëta të rrezikut.
Megjithatë, sipas Organizata Botërore e Shëndetësisë, më shumë se 90 për qind e evropianëve janë të ekspozuar ndaj niveleve të pasigurta të ndotjes së ajrit, pasi kufiri i rekomanduar për PM2.5 është shumë më i ulët – vetëm 5 μg/m3.
Përveç PM2.5, ndotës të tjerë të rrezikshëm përfshijnë grimcat PM10, ozonin në nivel toke dhe benzo(a)pirenin, një substancë që krijohet nga tymi i duhanit, djegia e karburanteve fosile dhe ushqimet e djegura.
Ekspertët këshillojnë masa të thjeshta për mbrojtje, si shmangia e ajrosjes gjatë orëve të trafikut të dendur, kufizimi i aktiviteteve jashtë në ditët me ndotje të lartë dhe përdorimi i pajisjeve për pastrimin e ajrit.
Edhe pse ka shenja përmirësimi në disa vende, ndotja e ajrit vazhdon të mbetet një problem serioz në Evropë, me pasoja të drejtpërdrejta për shëndetin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve./Gazeta Shneta/




