Një studim i ri nga studiuesit e Institutit Flamand për Bioteknologji dhe Universitetit KU Leuven në Belgjikë ka zbuluar se sëmundja e Parkinsonit mund të përbëhet nga disa forma biologjikisht të ndryshme, çka mund të shpjegojë pse i njëjti trajtim nuk jep rezultate të njëjta te të gjithë pacientët.
Hulumtimi, i realizuar me ndihmën e inteligjencës artificiale dhe metodave të “machine learning”, identifikoi dy grupe kryesore dhe pesë nëngrupe të Parkinsonit, duke analizuar modele laboratorike te mizat e frutave.
Sipas studiuesve, Parkinsoni zakonisht trajtohet si një sëmundje e vetme neurologjike që shkakton vështirësi në lëvizje dhe përkeqësim progresiv të funksioneve të trurit. Megjithatë, sëmundja mund të shkaktohet nga mutacione në shumë gjene të ndryshme, të cilat ndikojnë në tru në mënyra të ndryshme.
Kjo, sipas tyre, ka vështirësuar zhvillimin e terapive efektive, pasi një ilaç që ndihmon një grup pacientësh mund të mos ketë efekt te një grup tjetër.
“Kur mjekët dhe pacientët e shohin sëmundjen, ata fokusohen te simptomat klinike, të cilat i bashkojnë të gjithë pacientët me Parkinson. Por në nivel molekular shihen nënkategori të ndryshme”, ka deklaruar Patrik Verstreken, drejtues i grupit kërkimor të neurobiologjisë molekulare në VIB-KU Leuven.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rastet e vdekjeve dhe aftësisë së kufizuar të lidhura me Parkinsonin janë në rritje të shpejtë. Në vitin 2019, mbi 8.5 milionë persona në botë jetonin me këtë sëmundje.
Për të analizuar dallimet, studiuesit përdorën miza frutash me mutacione në 24 gjene të lidhura me Parkinsonin dhe monitoruan sjelljen e tyre gjatë kohës.
Autorja e parë e studimit, Natalie Kaempf, tha se kërkimi është zhvilluar pa paragjykime mbi mënyrën se si secili mutacion ndikon në organizëm.
Rezultatet treguan se format e ndryshme gjenetike të Parkinsonit ndahen natyrshëm në grupe të veçanta biologjike.
Kjo mund të ndihmojë në identifikimin e biomarkerëve specifikë dhe zhvillimin e terapive të personalizuara për secilin grup pacientësh.
Studiuesit testuan edhe trajtime të ndryshme në këto grupe dhe zbuluan se një terapi që përmirësonte simptomat në një grup nuk kishte të njëjtin efekt në grupin tjetër.
Megjithëse studimi është ende në fazë të hershme dhe është realizuar vetëm në modele laboratorike, ekspertët thonë se ai hap rrugën drejt trajtimeve më të personalizuara për Parkinsonin në të ardhmen.


