Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se në javët në vijim mund të identifikohen raste të reja me hantavirus, sidomos për shkak të periudhës së inkubacionit të virusit, zgjerimit të testimeve dhe monitorimit të personave që kanë qenë të ekspozuar.
Sipas organizatës, kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht një shpërthim të madh global, por tregon se autoritetet po përgatiten për mundësinë e shtimit të rasteve, shkruan WHO, transmeton Gazeta Shneta.
Alarmi i OBSH-së lidhet me një vatër infeksioni të zbuluar në anijen turistike MV Hondius, ku deri më tani janë raportuar disa raste të konfirmuara dhe të dyshuara me hantavirus, përfshirë edhe viktima.
Organizata njoftoi se deri më 7 maj janë regjistruar tetë raste, pesë prej tyre të konfirmuara laboratorikisht, ndërsa tre persona kanë humbur jetën.
Sipas OBSH-së, virusi i identifikuar është varianti “Andes”, i cili është i njohur në Amerikën e Jugut dhe është i vetmi lloj hantavirusi që mund të transmetohet në mënyrë të kufizuar nga njeriu te njeriu, kryesisht përmes kontakteve të afërta dhe të zgjatura.
Megjithatë, organizata thekson se rreziku për popullatën globale mbetet i ulët dhe se nuk bëhet fjalë për një situatë të ngjashme me pandeminë COVID-19.
Ekspertët shëndetësorë po fokusohen tani në gjurmimin e kontakteve, izolimin e rasteve të dyshuara dhe monitorimin e personave që kanë udhëtuar me anijen ose kanë qenë në kontakt me të infektuarit.
OBSH ka dërguar ekspertë dhe mijëra kite diagnostikuese në disa vende për të forcuar kapacitetet e testimit dhe reagimit.
Hantavirusi transmetohet zakonisht përmes kontaktit me urinën, jashtëqitjet ose pështymën e brejtësve të infektuar. Simptomat fillestare përfshijnë temperaturë, dhimbje muskujsh, lodhje dhe probleme gastrointestinale, ndërsa në rastet e rënda mund të zhvillohet pneumoni akute, vështirësi serioze në frymëmarrje dhe dështim i organeve.
OBSH paralajmëron se sëmundja mund të përkeqësohet shumë shpejt, prandaj zbulimi i hershëm dhe trajtimi mbështetës janë thelbësorë.
Autoritetet ndërkombëtare shëndetësore kanë bërë thirrje për vigjilencë më të madhe, raportim të shpejtë të rasteve dhe bashkëpunim ndërmjet shteteve për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit. /Gazeta Shneta/


