Valët e të nxehtit po konsiderohen gjithnjë e më shumë si një rrezik serioz për shëndetin publik, veçanërisht për zemrën dhe sistemin kardiovaskular.
Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat ekstreme mund ta detyrojnë zemrën të punojë më shumë për të mbajtur temperaturën normale të trupit, duke rritur rrezikun për komplikime të ndryshme shëndetësore, shkruan WHO, transmeton Gazeta Shneta.
Sipas specialistëve, gjatë periudhave me vapë të madhe janë shtuar rastet e dehidratimit, aritmive, tensionit të ulët dhe problemeve të tjera që lidhen me qarkullimin e gjakut.
Humbja e lëngjeve dhe mineraleve përmes djersitjes mund të ndikojë drejtpërdrejt në funksionimin normal të zemrës, sidomos tek personat e moshuar dhe pacientët me sëmundje kronike.
Mjekët rekomandojnë që qytetarët të konsumojnë sa më shumë ujë, të shmangin daljet në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe të qëndrojnë në ambiente të freskëta. Kujdes i veçantë kërkohet për të moshuarit, personat me hipertension, diabet apo probleme të zemrës, pasi ata janë më të ndjeshëm ndaj temperaturave ekstreme.
Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se ndryshimet klimatike dhe rritja e shpeshtësisë së valëve të të nxehtit mund ta bëjnë këtë problem edhe më serioz në vitet e ardhshme, duke shtuar nevojën për ndërgjegjësim dhe masa parandaluese. /Gazeta Shneta/


