Në kuadër të Javës Evropiane të Shëndetit Publik, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës është mbajtur një tryezë e rrumbullakët me temën “Ngritja e kapaciteteve për kujdesin ndaj të moshuarve në kujdesin parësor shëndetësor në Kosovë”.
Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve shëndetësore, profesionistë të kujdesit parësor, përfaqësues komunalë, organizata të të moshuarve dhe partnerë zhvillimorë, ku u diskutuan sfidat dhe nevojat për përmirësimin e kujdesit ndaj personave të moshuar në vend, përcjell Gazeta Shneta.
Gjatë diskutimeve u theksua se plakja e popullsisë kërkon një qasje më të organizuar dhe më të integruar nga sistemi shëndetësor, ndërsa kujdesi parësor u vlerësua si hallkë kryesore për identifikimin e hershëm të nevojave të të moshuarve dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike.
Në fokus të tryezës ishin fuqizimi i kapaciteteve të mjekëve familjarë dhe infermierëve, zhvillimi i shërbimeve miqësore ndaj moshës, kujdesi i integruar për pacientët, si dhe nevoja për trajnime të vazhdueshme për profesionistët shëndetësorë.
Po ashtu u diskutua edhe për rolin e familjes, komunitetit dhe institucioneve në mbështetjen e të moshuarve, si dhe për inicimin e një Plani Nacional të Veprimit për Moshimin në Kosovë.
Sipas IKSHPK-së, kujdesi ndaj të moshuarve nuk është vetëm çështje shëndetësore, por edhe sociale dhe institucionale, ndërsa investimi në kujdesin parësor dhe shërbimet e integruara ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së kësaj kategorie të popullsisë.
Instituti ka bërë të ditur se përmes Divizionit mbi Moshimin do të vazhdojë angazhimin në promovimin e moshimit të shëndetshëm dhe zhvillimin e politikave për përmirësimin e kujdesit ndaj të moshuarve në Kosovë.




