Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një shtetas të Serbisë në Vërmicë mbrëmjen e së dielës, nën dyshimin për mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve.
Në raportin ditor të PK’së, bëhet e ditur se në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se kanë falsifikuar dokumente. Përmes falsifikimit të këtyre dokumenteve, kishin mashtruar blerësin dhe i kishin marrë mbi 1,5 milion euro, shkruan Insajderi.
“Vërmicë 10.05.2026-21:40 Është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Republikës se Serbisë, i cili dyshohet se në bashkëpunim me persona te tjerë të dyshuar të arrestuar më datë 19.02.2026, kanë kryer veprime të kundërligjshme (falsifikim të dokumenteve/pasaportës dhe dokumenteve të tjera). Përmes këtyre dokumentet të falsifikuara kanë arritur që të tjetërsojnë /shesin sipërfaqe toke duke e mashtruar blerësin dhe duke marrë në këmbim 1,578,180.00 euro. Pas intervistimit me urdhër te prokurorit i dyshuari dërgohet ne qendrën e mbajtjes”, thuhet në njoftimin e PK’së.
Gazeta Insajderi merr vesh se ka të bëjë lidhur me rastin e mashtrimit për një pronë pranë “Spitalit Aloka” pronarin e kësaj të fundit, Halit Malokun.
Dosja e Prokurorisë, të cilën e e kishte siguruar Gazeta Insajderi, protagonist e prezanton biznesmenin Muhamet Melin, pronar të “Home Trade Agency”. Sipas organit akuzues, Meli përgjatë tetorit të 2025-ës ka falsifikuar një dokument publik si pasaportë të Serbisë dhe e ka përdorur të dhënat e një të dëmtuari dhe fotografinë e një personi tjetër.
Biznesmeni në fjalë me këtë dokument të falsifikuar ka hapur xhirollogari në Raiffeisen Bank dhe e ka përdorur për ta noterizuar kontratën për shitjen e një toke prej gjithsejtë 36,28 ari ndaj të dëmtuarit Halit Maloku, pronarit të “Spitalit Aloka”.
*Artikullin e plotë mund ta lexoni në Insajderi.org




