Një shpërthim vdekjeprurës i hantavirusit në një anije turistike ka rikthyer shqetësimet për viruset e reja që ende nuk kanë vaksinë apo trajtim specifik. Rasti ndodhi në anijen holandeze MV Hondius dhe u shkaktua nga virusi Andes, një nga format më të rrezikshme të grupit të hantaviruseve.
Deri tani nuk ekziston asnjë vaksinë e miratuar kundër hantavirusit, por studiuesit në Mbretërinë e Bashkuar po punojnë për zhvillimin e asaj që mund të bëhet vaksina e parë në botë kundër këtij virusi, shkruan burimi Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Ekipi nga Universiteti i Bath-it ka krijuar një vaksinë eksperimentale ARNm kundër llojit Hantaan, një tjetër variant i hantavirusit.
Testet laboratorike tek kafshët kanë dhënë rezultate premtuese dhe shkencëtarët shpresojnë që teknologjia të mund të përdoret edhe kundër variantit Andes.
Një nga risitë kryesore të kësaj vaksine është përdorimi i teknologjisë “ensilication”, e cila mundëson transportimin e vaksinës në temperatura më të larta se vaksinat tradicionale ARNm.
Aktualisht, shumica e vaksinave ARNm kërkojnë ruajtje në temperatura shumë të ulëta, ndërsa kjo metodë synon ta bëjë vaksinën më praktike dhe më të lehtë për shpërndarje globale.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka konfirmuar disa raste dhe tre viktima nga shpërthimi në anije, por ka deklaruar se nuk ka shenja të një përhapjeje më të gjerë.
Ekspertët theksojnë se hantavirusi nuk transmetohet lehtë si COVID-19 dhe nuk ka arsye për panik.
Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se zhvillimi i vaksinave kundër viruseve të rralla mbetet shumë i rëndësishëm për të parandaluar kriza të mundshme shëndetësore në të ardhmen. /Gazeta Shneta/


