Mjeku amerikan Stephen Kornfeld, i cili ndihmoi në trajtimin e pasagjerëve të sëmurë gjatë shpërthimit të hantavirusit në anijen turistike MV Hondius, është lejuar të largohet nga izolimi në një njësi të sigurisë së lartë në SHBA.
Kornfeld ishte një nga mbi 120 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit që u evakuuan nga anija pas shpërthimit të virusit.
Ai ishte gjithashtu një nga 16 shtetasit amerikanë të dërguar në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Nebraskës, pasi një test i kryer në anije kishte dhënë rezultat të paqartë për hantavirusin.
Fillimisht, ai u vendos në njësinë speciale të biokontaminimit, e dedikuar për monitorimin dhe trajtimin e sëmundjeve shumë ngjitëse dhe të rrezikshme.
Megjithatë, autoritetet amerikane konfirmuan se mjeku tashmë është transferuar në Njësinë Kombëtare të Karantinës, ku po monitorohen edhe personat tjerë të evakuuar.
“Ndjehem shumë mirë, 100 për qind”, ka deklaruar Kornfeld për CNN, duke shtuar se gjendja e tij shëndetësore është stabile.
Sipas autoriteteve shëndetësore amerikane, testi fillestar i kryer jashtë SHBA-së kishte rezultuar i paqartë, pasi një analizë kishte dalë negative dhe një tjetër pozitive. Për këtë arsye u kryen teste shtesë pas mbërritjes së tij në SHBA.
Sipas të dhënave të fundit të Organizata Botërore e Shëndetësisë, deri më tani janë regjistruar 11 raste të lidhura me shpërthimin në anije, tetë prej tyre të konfirmuara, ndërsa tre persona kanë humbur jetën.
OBSH ka bërë të ditur se pasagjerët dhe ekuipazhi janë kthyer në vendet e tyre, ku po vazhdojnë të monitorohen nga autoritetet shëndetësore.
OBSH ka paralajmëruar se mund të shfaqen raste të tjera për shkak të periudhës së inkubacionit të virusit dhe kushteve të përhapjes në anije, por ka theksuar se aktualisht nuk ka shenja të një shpërthimi më të gjerë.




