Një hetim në disa spitale publike dhe private zbuloi se nëntë nga 20 pacientë mund t’i jenë nënshtruar trajtimeve kardiologjike të panevojshme.
Një raport i ekspertëve ndërkombëtarë ka ngritur dyshime serioze për ndërhyrje të panevojshme kardiologjike në Maqedoninë e Veriut, pasi nëntë nga 20 rastet e shqyrtuara janë vlerësuar si trajtime që mund të mos kenë qenë të nevojshme.
Hetimi është zhvilluar në disa institucione publike dhe private shëndetësore, përfshirë klinikat shtetërore të kardiologjisë në Shkup, spitalin e Shtip, spitalin “8 Shtatori”, si dhe qendrat private “Kardio Art”, “Zan Mitrev” dhe “Acibadem Sistina”.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, tha se hetimi nisi pas paralajmërimeve të kardiologut Sasko Kedev për abuzime të mundshme dhe trajtime të panevojshme që, sipas dyshimeve, kryheshin për përfitime financiare nga fondet publike dhe pacientët.
Sipas Aliut, komisioni zhvilloi 16 mbledhje dhe analizoi në detaje 20 raste.
“Në 13 raste u konstatuan dyshime për operacione të panevojshme ose të rekomanduara pa nevojë”, deklaroi ai.
Në procesin e vlerësimit morën pjesë edhe ekspertë nga Italia dhe Sllovenia.
Sipas ekspertëve të huaj, në katër nga 13 rastet trajtimi ka qenë i justifikuar, ndërsa në nëntë raste janë evidentuar trajtime që “ishin nën standardet e pritshme profesionale dhe mund të kenë pasur ndikim negativ në rezultatin klinik”.
Pacientët, sipas raportit, kanë mbijetuar pas ndërhyrjeve. /Albanian Post/




