Dhjetëra paciente në një spital në Britaninë e Madhe janë dëmtuar për shkak të vonesave në diagnozë dhe trajtim, pas dështimeve serioze administrative dhe mungesës së ndjekjes së rasteve mjekësore.
Sipas raportimit të medias britanike The Independent, auditimi i kryer në Aleancën e Kujdesit Verior të NHS-së, e cila menaxhon Spitalin Mbretëror të Salfordit, zbuloi se një numër pacientesh gjinekologjike nuk kishin marrë trajtimin apo kontrollet e nevojshme në kohë.
Hetimi nisi pasi u ngritën shqetësime lidhur me menaxhimin e rasteve të pacienteve nën kujdesin e një konsultanti gjinekologjik. Gjatë rishikimit të qindra rasteve, u konstatua se vonesat kishin ndikuar edhe te pacientet me kancer.
Sipas auditimit, më shumë se 60 paciente besohet se janë dëmtuar si pasojë e këtyre vonesave në trajtim dhe ndjekje mjekësore.
Raporti po ashtu zbuloi se mijëra letra dhe rezultate analizash nuk ishin dërguar tek mjekët familjarë, duke shkaktuar vonesa deri në pesë muaj për disa paciente.
Deputetja britanike Rebeka Long-Bejli deklaroi se është “jashtëzakonisht e shqetësuar” nga gjetjet dhe kritikoi drejtuesit e institucionit për mungesë transparence dhe mosveprim ndaj shqetësimeve të stafit.
Nga ana tjetër, drejtuesit e Aleancës së Kujdesit Verior kërkuan falje publike dhe thanë se pacientet e prekura janë kontaktuar për të marrë mbështetje dhe trajtim të mëtejmë.




