Qendra Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka konfirmuar një shpërthim të ri të virusit Ebola në provincën Ituri, në lindje të Republikës Demokratike të Kongos, ku deri tani janë raportuar 246 raste të dyshuara dhe 65 viktima.
Sipas autoriteteve shëndetësore afrikane, katër nga viktimat janë raste të konfirmuara laboratorikisht, ndërsa analizat e kryera deri më tani kanë treguar praninë e virusit Ebola në 13 nga 20 mostrat e testuara.
Shpërthimi është regjistruar në një zonë të largët dhe me qasje të vështirë, afër kufirit me Ugandën, gjë që po e komplikon reagimin e autoriteteve shëndetësore.
Qendra Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve paralajmëroi se ekziston rrezik i lartë për përhapje të mëtejshme për shkak të lëvizjes së popullsisë, aktivitetit minerar dhe situatës së pasigurt në rajon.
Drejtori i përgjithshëm i këtij institucioni, Jean Kaseya, tha se po zhvillohet koordinim me Kongon, Ugandën dhe Sudanin e Jugut për forcimin e mbikëqyrjes dhe kontrollit të situatës.
Virusi Ebola përhapet përmes kontaktit me lëngjet trupore si gjaku, të vjellat apo sekrecionet e personave të infektuar dhe mund të shkaktojë sëmundje të rëndë, shpesh fatale.
Ky është shpërthimi i 17-të i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos që nga identifikimi i parë i virusit në vitin 1976.
Një nga shpërthimet më të rënda në vend, gjatë viteve 2018-2020, kishte shkaktuar mbi një mijë viktima, ndërsa epidemia në Afrikën Perëndimore gjatë viteve 2014-2016 kishte marrë më shumë se 11 mijë jetë njerëzish.




