Një studim i ri ka zbuluar se gjithnjë e më shumë fëmijë po kërkojnë ndihmë për probleme të shëndetit mendor, sidomos për ankthin, gjatë kontrolleve rutinë te mjekët e kujdesit parësor.
Studiuesit thonë se kjo tregon një rritje të madhe të nevojave për mbështetje psikologjike tek fëmijët dhe adoleshentët.
Sipas studimit, vizitat në të cilat është identifikuar një problem i shëndetit mendor janë rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit.
Rastet e lidhura me ankthin kanë shënuar rritjen më të madhe, duke u shtuar me rreth 300% nga viti 2014 deri në vitin 2023.
Hulumtimi është bazuar në të dhënat e rreth 1.8 milionë fëmijëve të siguruar në Massachusetts të SHBA-së, të moshës nga 1 deri në 18 vjeç.
Studiuesit vunë re se mjekët familjarë dhe pediatrit po trajtojnë gjithnjë e më shpesh çështje të ankthit, depresionit dhe çrregullimeve të tjera emocionale gjatë vizitave të zakonshme mjekësore.
Autorët e studimit theksojnë se shumë familje kanë vështirësi të gjejnë ndihmë te specialistët e shëndetit mendor, prandaj kujdesi parësor po bëhet pika kryesore ku identifikohen dhe trajtohen problemet emocionale të fëmijëve.
Ekspertët paralajmërojnë se ankthi tek fëmijët mund të ndikojë në jetën sociale, suksesin në shkollë dhe zhvillimin emocional nëse nuk trajtohet me kohë.
Për këtë arsye, ata kërkojnë më shumë investime në shërbimet e shëndetit mendor për fëmijët dhe trajnime shtesë për mjekët e kujdesit parësor.


