Një studim i ri ka arritur për herë të parë të identifikojë në ujërat e zeza të gjitha viruset kryesore që lidhen me zhvillimin e kancerit, një zbulim që mund të hapë rrugë të reja për parandalimin dhe monitorimin e sëmundjeve në popullatë.
Hulumtimi është udhëhequr nga studiuesit Anthony Maresso dhe Justin Clark nga Kolegji i Mjekësisë Baylor në SHBA dhe është publikuar në revistën shkencore “Applied and Environmental Microbiology”.
Studiuesit analizuan mostra të ujërave të zeza të mbledhura nga viti 2022 deri në vitin 2025 në më shumë se 40 lokacione në 16 qytete të Teksasit, duke përfshirë rreth një të katërtën e popullsisë së shtetit.
Për analizat është përdorur një teknologji e avancuar gjenetike, e njohur si “hybrid-capture”, e cila mundëson identifikimin e mijëra viruseve njerëzore dhe mutacioneve të tyre përmes një testi të vetëm.
Sipas studiuesve, viruset onkogjene – që lidhen me zhvillimin e tumoreve – mund të jenë përgjegjëse për rreth një në pesë raste të kancerit në nivel global.
Në mesin e viruseve të identifikuara janë papillomavirusi njerëzor (HPV), viruset e hepatitit B dhe C, virusi Epstein-Barr, poliomaviruset dhe virusi i lidhur me sarkomën Kaposi.
Studimi ka evidentuar gjithashtu një rritje të ndjeshme të pranisë së disa prej këtyre viruseve gjatë viteve të fundit, veçanërisht pas vitit 2024.
Sipas autorëve, kjo mund të lidhet me rikthimin e udhëtimeve dhe shtimin e kontakteve ndërpersonale pas pandemisë COVID-19.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar HPV-së, virus që lidhet me kancerin e qafës së mitrës dhe disa lloje të tjera të kancerit. Studiuesit thanë se variantet me rrezik të lartë, si HPV-16 dhe HPV-18, kanë shënuar rritje gjatë periudhës së monitorimit.
Gjithashtu, në ujërat e zeza janë zbuluar të nëntë llojet e HPV-së që mbulohen nga vaksina Gardasil 9, çka sipas studiuesve mund të ndihmojë në të ardhmen për vlerësimin e efektivitetit të vaksinimit në popullatë.
“Studimi ynë tregon se viruset që lidhen me tumoret mund të monitorohen përmes ujërave të zeza. Kjo hap mundësi të reja për të kuptuar më mirë lidhjen ndërmjet këtyre viruseve dhe popullatës njerëzore, si dhe për të zhvilluar strategji më efektive të shëndetit publik”, tha Anthony Maresso.


