Përdorimi i tepërt i telefonave, rrjeteve sociale, mesazheve dhe videolojërave tek fëmijët dhe adoleshentët është kthyer në shqetësim të shëndetit publik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas një paralajmërimi të ri të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore.
Sipas raportit, ekspozimi ndaj ekraneve shpesh nis para ditëlindjes së parë të fëmijës dhe rritet vazhdimisht me kalimin e moshës. Deri në periudhën e adoleshencës, shumë të rinj kalojnë mesatarisht katër ose më shumë orë në ditë para ekraneve, ndërsa një pjesë e madhe pranojnë se humbin kontrollin mbi kohën që kalojnë në telefon, shkruan CNN, transmeton Gazeta Shneta.
Autoritetet amerikane paralajmërojnë se përdorimi i tepërt i teknologjisë mund të ndikojë negativisht në gjumë, suksesin në shkollë, aktivitetin fizik dhe marrëdhëniet sociale. Po ashtu, ekspertët shprehin shqetësime edhe për ndikimin në shëndetin mendor, përfshirë ankthin, izolimin dhe sjelljet e varësisë ndaj pajisjeve elektronike.
Në raport thuhet se problemi nuk lidhet vetëm me rrjetet sociale, por me të gjithë ekosistemin digjital, përfshirë telefonat inteligjentë, tabletët, aplikacionet, videolojërat dhe platformat online.
Raporti përfshin edhe rekomandime konkrete për familjet dhe institucionet. Sipas tyre, fëmijët nën 18 muaj nuk duhet të ekspozohen ndaj ekraneve, fëmijët nën 6 vjeç duhet të kenë më pak se një orë përdorim në ditë, ndërsa për moshat 6 deri në 18 vjeç rekomandohet kufizim deri në dy orë në ditë.
Gjithashtu, prindërit këshillohen të krijojnë rregulla familjare për përdorimin e telefonave dhe internetit, ndërsa shkollat të kufizojnë përdorimin e celularëve gjatë mësimit.
Megjithatë, disa ekspertë theksojnë se jo çdo përdorim i ekraneve është i dëmshëm. Ata vlerësojnë se teknologjia mund të ketë përfitime edukative dhe sociale kur përdoret në mënyrë të kontrolluar dhe të balancuar. /Gazeta Shneta/


