Qeveritë në mbarë botën duhet të rrisin ndjeshëm taksat për pijet me sheqer dhe alkoolin, nëse synojnë të ulin normat në rritje të obezitetit, diabetit, sëmundjeve të zemrës, kancerit dhe dëmeve të tjera të lidhura me to. Ky është paralajmërimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
OBSH thekson se taksat e ulëta, të cilat nuk përshtaten me inflacionin, janë të paefektshme në uljen e konsumit të alkoolit dhe pijeve me sheqer. Si pasojë, këto produkte mbeten lehtësisht të përballueshme për konsumatorët, ndërsa sistemet shëndetësore përballen me një barrë gjithnjë e më të madhe të sëmundjeve të parandalueshme, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Sipas OBSH-së, taksimi mbetet një nga mjetet më efektive që kanë qeveritë, pasi çmimet më të larta mund të ulin, vonojnë ose madje të parandalojnë konsumin e këtyre produkteve.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, theksoi se taksat shëndetësore jo vetëm që reduktojnë konsumin e dëmshëm, por gjithashtu gjenerojnë të ardhura që mund të përdoren për shërbime jetike shëndetësore.
Në këtë kuadër, OBSH u bën thirrje vendeve që të rrisin dhe ristrukturojnë taksat, me qëllim që deri në vitin 2035 të rriten realisht çmimet e duhanit, alkoolit dhe pijeve me sheqer.
Raportet bazohen në analiza të çmimeve dhe niveleve të taksave për birrën, pijet alkoolike të forta dhe pijet me sheqer në mbi 150 vende gjatë vitit 2024.
Gjetjet tregojnë se, pavarësisht taksave ekzistuese, birra dhe pijet e forta janë bërë më të përballueshme që nga viti 2022, për shkak se taksat nuk janë përditësuar rregullisht në përputhje me inflacionin.
Alkooli lidhet me mbi 200 gjendje shëndetësore dhe shkakton rreth 2.6 milionë vdekje çdo vit. Ndërkohë, pijet me sheqer rrisin rrezikun për obezitet, diabet dhe sëmundje kronike, duke ofruar pak ose aspak vlera ushqyese.
OBSH thekson se rritja e taksave dhe orientimi i të ardhurave drejt programeve shëndetësore është thelbësor për mbrojtjen e shëndetit publik. /Gazeta Shneta/


