Sistemi shëndetësor publik në Greqia po përballet me mungesë serioze të stafit mjekësor, sidomos në ishujt grekë, ku spitalet dhe qendrat shëndetësore po funksionojnë nën kapacitet minimal.
Sipas sindikatës së punëtorëve shëndetësorë POEDIN, mungesa kronike e mjekëve, infermierëve dhe stafit mbështetës ka çuar në mbylljen e disa klinikave, reduktimin e shtretërve në njësitë intensive dhe lodhje ekstreme të personelit për shkak të turneve të vazhdueshme.
Situata më kritike raportohet në ishujt e Kretës, Jonit, Egjeut dhe Cikladeve, ku shumë spitale po mbijetojnë falë stafit me kontrata afatshkurtra, kompanive private dhe transferimit të përkohshëm të punonjësve nga rajone të tjera.
Në Kreta, spitalet kryesore si Venizeleio dhe PAGNI po përballen me mungesa të mëdha pothuajse në çdo repart. Në spitalin Venizeleio, tre nga 15 shtretërit e kujdesit intensiv janë jashtë funksionit për shkak të mungesës së stafit, ndërsa vetëm pesë nga tetë sallat operative janë aktive.
Në Spitalin e Përgjithshëm të Hanias, mungesat arrijnë deri në 45 për qind të vendeve të punës. Klinika e Pulmologjisë është mbyllur, urgjenca funksionon vetëm me dy mjekë, ndërsa janë në përdorim vetëm tri nga shtatë tavolinat operative.
Probleme të ngjashme raportohen edhe në spitale të tjera të ishullit. Në Spitalin e Agios Nikolaos numri i stafit ka rënë me 20 për qind gjatë katër viteve të fundit, ndërsa në Spitalin e Ierapetrës aktualisht punon vetëm një anesteziolog, një internist dhe një pediatër.
Gjendja mbetet shqetësuese edhe në Ishujt Jonianë. Në spitalin e Kefalonias, njësia intensive nuk ka hyrë asnjëherë në funksion për shkak të mungesës së specialistëve, ndërsa në spitalin e Lefkadës deri në gjysmën e infermierëve punojnë me kontrata të përkohshme.
Në Rodosi, stafi i Spitalit të Përgjithshëm ka mbi 15 mijë ditë pushimi të pashfrytëzuara për shkak të mungesës së personelit, ndërsa vetëm dy nga shtatë sallat operative janë funksionale. Pajisje moderne si rezonanca magnetike dhe mamografia digjitale mbeten të papërdorura për mungesë specialistësh.
Sindikatat paralajmërojnë se me afrimin e sezonit turistik situata mund të përkeqësohet edhe më shumë, pasi popullsia në ishuj rritet ndjeshëm gjatë verës, duke shtuar presionin mbi sistemin shëndetësor.




