Një studim i ri ka zbuluar se pothuajse një e treta e punonjësve të sektorit shëndetësor dhe kujdesit social në Europë janë të ekspozuar ndaj faktorëve që mund të shkaktojnë kancer gjatë punës së tyre.
Sipas hulumtimit të realizuar nga Agjencia Evropiane për Siguri dhe Shëndet në Punë, rreth 29.5 për qind e punonjësve të këtij sektori raportuan ekspozim ndaj të paktën një faktori kancerogjen, ndërsa 7.8 për qind thanë se janë të ekspozuar ndaj dy ose më shumë faktorëve të rrezikshëm.
Studimi u bazua në mbi 24 mijë intervista telefonike të zhvilluara gjatë viteve 2022-2023 me punëtorë në Finland, Franc, Gjermani, Hungari, Irlandë. dhe Spanj.
Ekspertët theksojnë se kanceri vazhdon të mbetet shkaku kryesor i vdekjeve të lidhura me punën në Bashkimin Evropian, me rreth 100 mijë viktima çdo vit.
Sipas studimit, faktorët më të zakonshëm të rrezikut për punonjësit shëndetësorë janë rrezatimi jonizues, gazrat e motorëve me naftë, rrezatimi ultraviolet nga dielli, formaldehidi dhe benzeni.
Studiuesit paralajmërojnë se ekspozimi ndodh në shumë situata pune, duke përfshirë përdorimin e aparateve me rreze X, kontaktin me substanca kimike dezinfektuese dhe sterilizuese, si dhe punën në laboratorë anatomikë.
Autorja e studimit, Michelle Turner, tha se rreziqet nga substancat kancerogjene në sektorin shëndetësor historikisht kanë qenë më pak të dukshme sesa në sektorë të tjerë ekonomikë.
Ajo theksoi nevojën për strategji më të forta parandaluese dhe mbrojtje më të madhe për punonjësit e shëndetësisë dhe kujdesit social.
Sektori i shëndetësisë dhe kujdesit social është një nga sektorët më të mëdhenj në Europë, me mbi 21 milionë të punësuar, duke përfshirë spitale, shtëpi kujdesi, ordinanca mjekësore dhe shërbime të kujdesit në shtëpi.


