Një studim i publikuar në British Journal of Sports Medicine sugjeron se ecja me ritëm të shpejtëmund të lidhet me një ulje të ndjeshme të rrezikut për zhvillimin e disa llojeve të kancerit, përfshirë më shumë se 10 forma të ndryshme të sëmundjes.
Sipas studiuesve, personat që kanë një nivel më të lartë të aktivitetit fizik ditor, veçanërisht ata që ecin me intensitet të moderuar deri të lartë tregojnë tendencë për rrezik më të ulët të kancerit të zorrës së trashë, gjirit, mëlçisë, mushkërive dhe disa organeve të tjera, shkruan Nature, transmeton Gazeta Shneta.
Efekti është vërejtur sidomos tek individët që e mbajnë këtë zakon në mënyrë të vazhdueshme, jo vetëm si aktivitet i rastësishëm.
Studiuesit shpjegojnë se ecja e shpejtë ndikon në disa mekanizma biologjikë që lidhen me zhvillimin e kancerit. Aktiviteti fizik ndihmon në uljen e inflamacionit kronik, përmirëson ndjeshmërinë ndaj insulinës, rregullon peshën trupore dhe forcon sistemin imunitar. Të gjitha këto faktorë luajnë rol në uljen e rrezikut të rritjes së qelizave kancerogjene.
Një tjetër mekanizëm i rëndësishëm është ndikimi i aktivitetit fizik në hormonet e trupit. Ecja e rregullt ndihmon në balancimin e hormoneve si estrogjeni dhe insulina, të cilat janë të lidhura me disa lloje kanceri, veçanërisht atë të gjirit dhe zorrës së trashë.
Ekspertët theksojnë se nuk nevojitet ushtrim i fortë për të përfituar efekte mbrojtëse. Edhe 30 minuta ecje e shpejtë në ditë mund të sjellë përfitime të dukshme për shëndetin afatgjatë, veçanërisht kur kombinohet me një dietë të shëndetshme dhe shmangie të duhanit. /Gazeta Shneta/


