Klinika e Hematologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës vazhdon të mbetet qendra e vetme terciare në vend për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve hematologjike dhe hemato-onkologjike.
Megjithatë, një nga procedurat më të rëndësishme për pacientët me sëmundje të rënda të gjakut, transplanti i palcës kockore, ende nuk realizohet në Kosovë.
Drejtoresha e Klinikës së Hematologjisë, Dr. Aferdita Ukimeraj në një intervistë për Gazetën Shneta, ka bërë të ditur se pacientët që kanë nevojë për këtë procedurë vazhdojnë të referohen për trajtim jashtë vendit.
“Për trajtime kryesisht i referojmë pacientët me leukemi akute dhe ata që kanë nevojë për transplant. Gjatë tre muajve të parë të këtij viti kemi referuar rreth shtatë pacientë për transplant, ndërsa pacientët e tjerë trajtohen në klinikën tonë”, tha ajo.
Sipas saj, në Klinikën e Hematologjisë trajtohen me sukses edhe pacientët me leukemi akute, madje disa prej tyre kanë arritur shërim të plotë. Megjithatë, rastet me prognozë më të rëndë dhe mutacione specifike gjenetike kërkojnë trajtime më të avancuara, përfshirë transplantin e palcës kockore.
Një tjetër sfidë mbetet mungesa e disa procedurave të avancuara diagnostike, si flow citometria dhe analizat gjenetike, të cilat aktualisht realizohen jashtë vendit.
“Analizat gjenetike dhe flow citometria janë shumë të domosdoshme për diagnozën e saktë dhe përcaktimin e terapisë adekuate. Kjo është arsyeja pse pacientët tanë vazhdojnë të referohen jashtë vendit për këto procedura”, theksoi Ukmataj.
Megjithatë, ajo shprehet optimiste se situata do të ndryshojë me funksionalizimin e klinikës së re.
“Po punojmë intensivisht për ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe për trajnimin e stafit. Fillimisht synojmë të funksionalizojmë flow citometrinë, ndërsa më pas edhe transplantin e palcës kockore. Besoj se shumë shpejt, nëse jo këtë vit, atëherë vitin e ardhshëm, do të arrijmë t’i realizojmë këto procedura në Kosovë”, Ukimeraj
Klinika e Hematologjisë trajton sëmundje të ndryshme malinje dhe jo malinje të gjakut, përfshirë limfomat, leukemitë, mielomën multiple dhe format e ndryshme të anemive, duke ofruar trajtim për qindra pacientë nga e gjithë Kosova./Gazeta Shneta/


