Një studim i ri sugjeron se ilaçi i njohur për diabet dhe humbje peshe, Ozempic (semaglutide), mund të lidhet edhe me një rrezik më të ulët të frakturave të kockave.
Sipas gjetjeve të prezantuara në takimin vjetor të Shoqatës Endokrine në Çikago, personat me diabet të tipit 2 që trajtoheshin me semaglutide kishin rreth 15 për qind më pak rrezik për thyerje të kockave, krahasuar me pacientët që merrnin barna të tjera për diabetin.
Studimi është udhëhequr nga Jairo Noreña, ish-bashkëpunëtor në endokrinologji në Qendrën Mjekësore të Universitetit Stanford në Kaliforni, i cili tha se frakturat e kockave mbeten një problem serioz shëndetësor, sidomos te moshat e shtyra.
Ai shtoi se rezultatet mund të ndihmojnë në kuptimin më të mirë të ndikimit të barnave si semaglutide në shëndetin e kockave gjatë humbjes së peshës.
Hulumtimi ka analizuar të dhëna shëndetësore të rreth 161 milionë pacientëve në SHBA të trajtuar në spitale gjatë periudhës 2016–2023. Në analizë janë krahasuar mbi 26 mijë pacientë me diabet të tipit 2 që përdornin semaglutide me mbi 33 mijë të tjerë që merrnin trajtime alternative.
Rezultatet treguan se grupi që përdorte semaglutide kishte humbje më të madhe peshe, por edhe më pak raste të frakturave – 794 raste kundrejt 1.045 në grupin tjetër.
Studiuesit theksojnë se, pavarësisht rezultateve premtuese, gjetjet mbeten paraprake derisa të publikohen në revista shkencore të rishikuara nga ekspertët.


