Inspektorati Farmaceutik i Ministrisë së Shëndetësisë e ka bllokuar produktin medicinal infuzion nga India, pasi për të njëjtin dyshohet se ka qenë jashtë specifikave të përcaktuara mjekësore.
Dyshimet për këtë produkt janë ngritur në Spitalin e Mitrovicës me njoftim nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës. Për këto dyshime IF ka kryer inspektim më datën 17.06.2026, shkruan Gazeta Shneta.
“Pas njoftimit të pranuar nga SHSKUK për identifikimin e një njësie të produktit medicinal Compound Sodium Lactate Intravenous Infusion BP 500 ml, të prodhuesit Otsuka Pharmaceutical India, me numër serik 1252149 dhe datë skadence 04/2028, e cila dyshohej se ishte jashtë specifikave të përcaktuara për produktin, Inspektorati Farmaceutik së bashku me AKPPM-në ka ndërmarrë menjëherë veprimet përkatëse. Më 17.06.2026, Inspektorati Farmaceutik ka kryer inspektim në barnatoren e Spitalit Rajonal “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, për të verifikuar raportimi për produktin në fjalë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për Gazetën Shneta.
MSh ka njoftuar se IF ka marr vendim që të bllokojë sasinë prej mbi 1400 copë të këtij produkti, deri në rezultatet e analizave laboratorike.
“Përmes procesverbalit, Inspektorati Farmaceutik ka urdhëruar bllokimin e 1,432 copëve të produktit medicinal Compound Sodium Lactate Intravenous Infusion BP 500 ml, të prodhuesit Otsuka Pharmaceutical India, deri në përfundimin e analizave laboratorike dhe procedurave përkatëse vlerësuese”, thuhet në përgjigje.
Nga MSh kanë deklaruar se deri tani nuk ekziston asnjë konstatim zyrtar laboratorik që do të mundësonte përcaktimin e natyrës së gjetjes së vërejtur.
“Natyra e gjetjes mund të përcaktohet vetëm pas përfundimit të analizave laboratorike dhe procedurave përkatëse vlerësuese”, thuhet në përgjigjen e MSh-së. /Gazeta Shneta/


