Policia Kufitare e Shkodrës i ka ardhur në ndihmë të martën pasdite në Velipojë një personi nga Prishtina që kishte mbetur në det si pasojë e një defekti në mjetin lundrues dhe rrezikonte të mbytej.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare organizuan dhe zhvilluan një operacion për lokalizimin dhe dhënien e ndihmës.
Sipas njoftimit, në operacion u angazhuan mjete lundruese të Policisë Kufitare, si dhe operatorë turistikë të zonës, të cilët kontribuuan në kërkimin e mjetit, pasi fillimisht nuk dihej vendndodhja e tij.
“Pas kërkimeve, shërbimet e Policisë Kufitare lokalizuan mjetin lundrues në thellësi të Lumi Buna, rreth 17 milje nga grykëderdhja. Nga verifikimet rezultoi se mjeti lundrues (skaf tip “Morea”) drejtohej nga shtetasi A. B., 46 vjeç, banues në Prishtinë, i cili kishte mbetur në det si pasojë e një defekti në motor.”, thuhet në njoftim.
Aty thuhet se turistit nga Kosova i është dhënë ndihma e nevojshme dhe është shoqëruar drejt vendstacionimit të mjeteve lundruese në Pulaj të Velipojës.


