Një ilaç i ri që mund të vonojë shfaqjen e diabetit të tipit 1 deri në tre vjet është miratuar për përdorim në sistemin publik shëndetësor në Angli dhe Uells, duke u cilësuar si një nga përparimet më të mëdha në trajtimin e kësaj sëmundjeje në më shumë se një shekull.
Bëhet fjalë për Teplizumab, një terapi që nuk e shëron diabetin e tipit 1, por mund të shtyjë shfaqjen e simptomave tek personat me rrezik të lartë për zhvillimin e sëmundjes. Ilaçi është miratuar nga Instituti Kombëtar për Ekselencë në Shëndetësi, në Mbretërinë e Bashkuar, për të rriturit dhe fëmijët mbi moshën tetëvjeçare që ndodhen në fazat e hershme të sëmundjes, shkruan The Guardian transmeton Gazeta Shneta.
Diabeti i tipit 1 shfaqet kur sistemi imunitar sulmon qelizat e pankreasit që prodhojnë insulinë. Deri më sot, trajtimi kryesor ka qenë insulina, e zbuluar më shumë se 100 vjet më parë, e cila zëvendëson hormonin që organizmi nuk e prodhon më, por nuk ndikon në rrjedhën e sëmundjes.
Teplizumabi vepron ndryshe. Ai ndihmon në “riedukimin” e sistemit imunitar që të ndalojë sulmin ndaj qelizave të pankreasit. Trajtimi jepet përmes infuzionit në venë një herë në ditë për 14 ditë rresht, me dozë që rritet gradualisht gjatë trajtimit.
Ekspertët e konsiderojnë miratimin e këtij ilaçi si fillimin e një epoke të re në trajtimin e diabetit të tipit 1. Sipas tyre, vonimi i shfaqjes së sëmundjes u jep pacientëve, veçanërisht fëmijëve dhe adoleshentëve, vite të çmuara pa nevojën e menaxhimit të përditshëm të diabetit dhe më shumë kohë për zhvillim normal.
Specialistët theksojnë se zbulimi i hershëm i personave në rrezik është thelbësor për të përfituar nga kjo terapi, ndërsa shpresa është që në të ardhmen të bëhet e mundur jo vetëm vonimi, por edhe parandalimi i plotë i diabetit të tipit 1. /Gazeta Shneta/


