Përdorimi i qeseve me nikotinë po shënon rritje të shpejtë në mesin e të rinjve në mbarë botën, ndërsa ekspertët e shëndetit publik paralajmërojnë se produkti mund të nxisë një valë të re varësie nga nikotina.
Alarmi vjen nga organizata ndërkombëtare STOP, e cila monitoron industrinë e duhanit dhe ka publikuar një raport të ri mbi zgjerimin e tregut të këtyre produkteve.
Qeset me nikotinë janë pako të vogla që vendosen mes buzës dhe mishrave të dhëmbëve dhe përmbajnë nikotinë pa tym. Ato tregtohen në forma të ndryshme dhe me shije tërheqëse si mente, fruta, kafe apo erëza, duke i bërë veçanërisht tërheqëse për të rinjtë.
Sipas raportit, gjatë vitit 2025 në nivel global janë shitur rreth 34 miliardë qese me nikotinë, një rritje prej 660 për qind krahasuar me vitin 2020. Vlera e tregut pritet të arrijë afro 16 miliardë dollarë deri në vitin 2027.
Ekspertët thonë se rritja e përdorimit është nxitur nga boshllëqet në rregullore dhe fushatat agresive të marketingut në rrjetet sociale. Sipas tyre, kompanitë e duhanit po përdorin influencues, sponsorizime sportive dhe promovime online për të arritur tek grupmoshat e reja.
Raporti përmend se disa kompani kanë shpërndarë edhe mostra falas të produkteve, pavarësisht faktit se nikotina është substancë që krijon varësi.
Studiuesit paralajmërojnë se qeset me nikotinë përmbajnë substanca potencialisht të dëmshme dhe mund të shërbejnë si pikënisje për varësi afatgjatë, veçanërisht tek adoleshentët.
Një tjetër shqetësim lidhet me faktin se këto produkte përdoren në mënyrë diskrete dhe mund të konsumohen edhe në vende ku duhani ose cigaret elektronike janë të ndaluara, gjë që sipas ekspertëve rrit rrezikun e përdorimit të tyre nga të rinjtë.
Organizata STOP u ka bërë thirrje qeverive të vendosin rregulla më të rrepta për qeset me nikotinë, përfshirë kufizime të moshës, ndalimin e reklamimit, kufizimin e shijeve dhe rritjen e taksave për këto produkte.
Rekomandimet janë në linjë me qëndrimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila ka kërkuar mbikëqyrje më të fortë të produkteve të reja që përmbajnë nikotinë.


