Kolegji Amerikan i Mjekëve ka publikuar udhëzime të reja klinike që rekomandojnë barnat me semaglutid dhe tirzepatid si zgjedhjen e parë për trajtimin medikamentoz të obezitetit tek të rriturit. Këto barna duhet të përdoren gjithmonë së bashku me ndryshime në stilin e jetesës, si ushqyerja më e shëndetshme dhe aktiviteti fizik.
Rekomandimet bazohen në analizimin e provave shkencore për përfitimet, rreziqet dhe efektivitetin e barnave kundër obezitetit.
Në krye të listës renditen semaglutidi dhe tirzepatidi, të njohur për efektet e tyre më të mëdha në humbjen e peshës krahasuar me alternativat e tjera. Pas tyre vijnë kombinimi fenterminë-topiramat, liraglutidi dhe kombinimi naltrekson-bupropion, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Udhëzimet vlejnë për të rriturit me obezitet, të përcaktuar si indeks i masës trupore 30 ose më i lartë. Për personat me mbipeshë dhe sëmundje shoqëruese, si diabeti i tipit 2, hipertensioni, sëmundjet kardiovaskulare ose apnea obstruktive e gjumit, semaglutidi dhe tirzepatidi rekomandohen gjithashtu si trajtimet e para.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se vendimi për trajtim nuk duhet të bazohet vetëm në humbjen e peshës. Duhet të merren parasysh edhe kostot, disponueshmëria e barnave, efektet anësore, gjendjet e tjera shëndetësore, qëllimet afatgjata të pacientit dhe preferencat personale.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është monitorimi i pasojave të mundshme të humbjes së peshës, si mungesat ushqyese, humbja e masës muskulore dhe ulja e densitetit kockor, veçanërisht tek të moshuarit.
Autorët theksojnë se këto udhëzime do të përditësohen vazhdimisht me daljen e studimeve të reja, pasi fusha e trajtimit të obezitetit po zhvillohet me ritëm të shpejtë dhe terapi të reja po hyjnë vazhdimisht në përdorim klinik. /Gazeta Shneta/


