Close Menu
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Psikologji
  • Logopedi
  • Fizioterapi
Facebook X (Twitter) Instagram
Facebook X (Twitter) YouTube
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Më shumë
    • Psikologji
    • Logopedi
    • Fizioterapi
Gazeta ShnetaGazeta Shneta

Vala e të nxehtit përfshin edhe Kosovën, Dr. Rushit Ismajli: Ndryshoni rutinën për të mbrojtur shëndetin

Lajme 26/06/2026
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Reddit Email Telegram
Shpërndaje
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Email Telegram

Teksa një pjesë e madhe e Evropës po përballet me valë të forta të të nxehtit, të shoqëruara me alarme shëndetësore dhe viktima, edhe Kosova pritet të hyjë në një periudhë me temperatura ekstreme. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se gjatë pesë ditëve të ardhshme temperaturat do të arrijnë nivele të larta, duke rritur rrezikun për shëndetin e qytetarëve, veçanërisht të grupeve më të ndjeshme.

Mjeku specialist i mjekësisë familjare, Dr. Rushit Ismajli në një intervistë për Gazetën Shneta tha se megjithëse vendi ka përvojë me situata të ngjashme, nevojitet më shumë seriozitet në trajtimin e valëve të të nxehtit.

“Ndoshta jemi të përgatitur deri diku, por jo me seriozitet të plotë. Në disa shtete evropiane, si Gjermania, për shkak të temperaturave të larta janë reduktuar edhe oraret e punës, madje në disa raste është pezulluar puna për disa ditë, pasi është vlerësuar se rrezikohet shëndeti i punëtorëve”, thotë Ismajli.

Sipas tij, në Kosovë duhet të merren masa të ngjashme, veçanërisht për punëtorët e ndërtimit dhe ata që punojnë në ambiente të hapura. Ai sugjeron që puna të zhvillohet në orët e hershme të mëngjesit dhe pasdite, ndërsa gjatë pikut të temperaturave të ketë ndërprerje të aktiviteteve.

Në praktikën e tij, Ismajli u shpreh se tashmë po has pacientë që paraqiten me marramendje, të përziera, vjellje dhe shenja dehidratimi, të cilat lidhen drejtpërdrejt me temperaturat e larta.

“Shumë njerëz nuk e marrin seriozisht vapën derisa të përballen me pasoja, si humbja e vetëdijes apo alivanosja. Qytetarët duhet të shmangin daljet në orët më të nxehta të ditës dhe të konsumojnë mjaftueshëm ujë”, theksoi ai.

Sipas Ismajlit, më të rrezikuarit janë të moshuarit, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe fëmijët e vegjël. Megjithatë, ai paralajmëron se as personat e rinj dhe të shëndetshëm nuk janë të paprekshëm.

“Temperaturat e larta nuk kursejnë askënd. Personat që ndihen të shëndetshëm shpesh e neglizhojnë rrezikun, sidomos ata që punojnë në ndërtim apo në kuzhina, ku ekspozimi ndaj nxehtësisë është i vazhdueshëm”, thotë Ismajli.

Ai shpjegon se tek pacientët me hipertension, diabet dhe sëmundje të tjera kronike, humbja e lëngjeve mund të ndikojë në qarkullimin e gjakut dhe të shkaktojë marramendje, të vjella apo edhe humbje të vetëdijes.

Megjithatë, ai nuk rekomandon ndryshimin e terapisë pa konsultim me mjekun.

“Pacientët duhet të vazhdojnë terapinë si zakonisht. Nëse vërejnë rënie të tensionit apo shqetësime të tjera, duhet të paraqiten për kontroll, ku mund të bëhet modifikimi i terapisë nëse është e nevojshme”, u shpreh ai.

Përveç rrezikut nga temperaturat e larta, gjatë sezonës së verës shtohen edhe rastet e pickimeve nga rriqrat dhe, më rrallë, kafshimet nga gjarpërinjtë.

Ismajli thotë se Qendrat e Mjekësisë Familjare në zonat rurale, si Hajvalia dhe Velania, disponojnë serum kundër helmimit nga gjarpërinjtë dhe ofrojnë ndihmën e parë, ndërsa rastet më të rënda referohen në QKUK.

Ai apelon që qytetarët të mos tentojnë t’i trajtojnë vetë këto raste.

“Në rast të pickimit nga rriqra, shumë persona përpiqen ta largojnë vetë, por shpesh e këpusin dhe mbetet koka brenda lëkurës. Ndërsa te kafshimi nga gjarpri, është gabim të prehet plaga ose të tentohet thithja e helmit”, paralajmëroi specialisti i mjekësisë familjare.

Në fund, ai u bën thirrje qytetarëve që gjatë ditëve me temperatura ekstreme të ndryshojnë rutinën e përditshme, të kryejnë aktivitet fizik vetëm në mëngjes ose në mbrëmje, të konsumojnë ujë, fruta e ushqim të shëndetshëm, të shmangin pijet me sheqer dhe ekspozimin në diell gjatë orëve të mesditës.

“Le të krijojmë shprehi të mira dhe të kujdesemi për veten, në mënyrë që këtë verë ta kalojmë sa më shëndetshëm”, u shpreh ai.

/Gazeta Shneta/

Artikulli paraprakBakteret që shkaktojnë infeksione të rënda po përhapen, ekspertët lidhin rritjen e rasteve me ngrohjen globale
Artikulli i rradhës Tetë foshnja lindën në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, u kryen edhe 14 operime gjatë 24 orëve

Ju sugjerojmë

ZKA evidenton shkelje të shumta në menaxhimin e parasë publike

26/06/2026 Lajme

KQZ nesër shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit

26/06/2026 Lajme

Spanja dhe Zvicra dërgojnë ekipet e para të shpëtimit në Venezuelë

26/06/2026 Lajme

Hiqen nga tregu kekët me Nutella në Gjermani, dyshohet për copa metali

26/06/2026 Lajme

Rritet në 589 numri i viktimave në Venezuelë

26/06/2026 Lajme

IHMK: Rritje graduale e temperaturave gjatë 5 ditëve të ardhshme

26/06/2026 Lajme
Na ndiqni
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
  • YouTube
Rreth nesh
Rreth nesh

Gazeta Shneta është produkt medial që i kushtohet vetëm shëndetësisë.

Këshillat mjekësore të postuara nga Gazeta Shneta janë të natyrës edukative.

Kontakt

Email: [email protected]

Adresa: Rr. Vicianum, PN, Prishtinë

Marketing

Email: [email protected]

Tel: +383 44 701 781

Përmbajtja

Gazeta Shneta është e hapur ndaj partnerëve të marketingut.

Linqe

Privacy Policy

Facebook X (Twitter) Instagram YouTube
© 2026 Gazeta Shneta

Shkruani fjalën dhe klikoni Search/Enter për të kërkuar. Klikoni X për ta anuluar.