Në një klasë të mbushur me dritë në Limerick të Irlandës, çdo të premte në mëngjes, një grup njerëzish me diagnozë Parkinsoni mblidhen për të kënduar. Të udhëhequr nga terapistet muzikore Cathy McGlynn dhe Ann Blake, pjesëmarrësit bëjnë ushtrime zëri, ngrohje dhe më pas këndojnë këngë si “You Are My Sunshine”. Ky kor i veçantë, i quajtur Parkinsongs, është bërë shembull se si muzika mund të ketë ndikim terapeutik në sëmundje neurologjike.
Sipas studiuesve të neuroshkencës, angazhimi afatgjatë me muzikën mund të forcojë funksionin e trurit dhe të krijojë rezerva neurale që ngadalësojnë përkeqësimin e sëmundjeve të lidhura me moshën.
Tek pacientët me Parkinson, këndimi dhe terapia muzikore janë të lidhura me përmirësim të zërit, frymëmarrjes dhe funksioneve motorike. Ndërsa tek personat me demencë, muzika ndihmon në rikthimin e kujtimeve dhe përmirësimin e aftësive njohëse, sidomos kujtimet emocionale dhe episodike, shkruan BBC transmeton Gazeta Shneta.
Ekspertët shpjegojnë se arsyeja lidhet me mënyrën si truri përpunon muzikën. Kujtesa muzikore ruhet në zona të trurit që shpesh mbeten të paprekura edhe kur sëmundja përparon. Kjo e bën muzikën një mjet të fuqishëm për stimulim mendor edhe në faza të avancuara të sëmundjeve neurodegjenerative.
Përfitimet nuk kufizohen vetëm tek pacientët. Studimet tregojnë se edhe personat e shëndetshëm që merren me muzikë për vite me radhë zhvillojnë neuroplasticitet më të madh dhe lidhje më të forta nervore. Muzika mund të ndikojë edhe në perceptimin e dhimbjes, duke e ulur ndjeshëm atë përmes aktivizimit të sistemit të shpërblimit në tru.
Sipas studiuesve, një nga elementet më të fuqishme është muzika në grup. Këndimi kolektiv nxit lirimin e dopaminës dhe endorfinës, duke rritur ndjenjën e përkatësisë dhe duke ulur stresin. Për shumë pjesëmarrës, kjo përvojë nuk është vetëm terapi, por edhe lidhje sociale dhe emocionale.
Ekspertët theksojnë se, pavarësisht provave shkencore, muzika ende nuk integrohet mjaftueshëm në sistemin shëndetësor. Megjithatë, gjithnjë e më shumë njerëz po e përdorin si mjet për mirëqenie, duke dëshmuar se muzika nuk është vetëm art, por edhe terapi që prek drejtpërdrejt trurin dhe emocionet. /Gazeta Shneta/


