Shumica e pacientëve preferojnë që lajmin për një diagnozë të kancerit ta marrin në një bisedë të drejtpërdrejtë me mjekun dhe jo përmes një njoftimi në portalet elektronike të shëndetit. Këtë e tregon një studim i ri, i publikuar në revistën shkencore JAMA Network Open.
Sipas hulumtimit, rreth 75% e pacientëve thanë se do të donin të informoheshin për një diagnozë të re të kancerit përmes një bisede me mjekun, qoftë në takim fizik, me telefon apo përmes një konsultimi me video. Vetëm 23% u shprehën se do ta pranonin këtë informacion edhe përmes një mesazhi në portalin elektronik të pacientit.
Studimi u realizua me më shumë se 2,400 pacientë me kancer, të diagnostikuar në periudhën 2019–2023 në Qendrën Gjithëpërfshirëse të Kancerit “Harold C. Simmons” në Universitetin e Teksasit Jugperëndimor.
Rezultatet treguan se 84% e pacientëve e morën diagnozën drejtpërdrejt nga profesionistët shëndetësorë, ndërsa rreth 7% e mësuan përmes portalit elektronik të institucionit shëndetësor.
Autorja kryesore e studimit, onkologia Dr. Sheena Bhalla, thotë se, ndonëse pacientët e vlerësojnë qasjen e shpejtë në rezultatet e analizave përmes platformave digjitale, situata ndryshon kur bëhet fjalë për një sëmundje serioze si kanceri.
Sipas saj, marrja e një diagnoze të tillë pa mundësinë për të bërë menjëherë pyetje ose për të diskutuar hapat e ardhshëm me mjekun mund të shtojë ndjeshëm stresin, pasigurinë dhe frikën që përjetojnë pacientët.
Studimi zbuloi gjithashtu se më shumë se gjysma e pacientëve ishin vetëm në momentin kur morën lajmin për diagnozën, çka sipas studiuesve është një nga pasojat e padëshiruara të qasjes së menjëhershme në dokumentet elektronike shëndetësore.
Në Shtetet e Bashkuara, një ligj federal garanton që pacientët të kenë qasje të shpejtë dhe të pakufizuar në të dhënat e tyre mjekësore. Megjithatë, kjo ka bërë që një numër gjithnjë e më i madh pacientësh ta mësojnë diagnozën e kancerit përmes portalit elektronik, përpara se të kontaktohen nga mjeku.
Studiuesit rekomandojnë që pacientët dhe mjekët të rishikojnë cilësimet e njoftimeve në portalet elektronike, ndërsa sistemet shëndetësore të shqyrtojnë mundësinë e vonimit të publikimit të rezultateve që përmbajnë diagnoza veçanërisht të ndjeshme.
Po ashtu, ata sugjerojnë që raportet radiologjike dhe patologjike të shoqërohen me shpjegime në gjuhë të thjeshtë, në mënyrë që pacientët t’i kuptojnë më lehtë përmbajtjen dhe të shmangen keqkuptimet deri në konsultën me mjekun.


