Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka publikuar një sërë rekomandimesh për qytetarët, duke bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë qëndrimit në ambiente të hapura, për shkak të temperaturave të larta që po mbizotërojnë.
Sipas IKShPK-së, për të reduktuar rrezikun nga ekspozimi ndaj vapës, qytetarët duhet të shmangin qëndrimin dhe aktivitetet në ambient të hapur gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Po ashtu, rekomandohet që të qëndrohet sa më shumë në ambiente me hije, të mbrohet koka dhe fytyra duke mbajtur kapelë, si dhe të përdoren syze dielli për mbrojtjen e syve gjatë ekspozimit në diell.
Instituti këshillon gjithashtu përdorimin e kremit mbrojtës ndaj rrezeve të diellit para daljes dhe riaplikimin e tij sipas nevojës, për të mbrojtur lëkurën nga dëmtimet.
Një tjetër rekomandim i rëndësishëm është konsumimi i rregullt i ujit gjatë gjithë ditës, me qëllim të parandalimit të dehidrimit, i cili mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
IKShPK u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë këto masa parandaluese për të mbrojtur shëndetin e tyre gjatë ditëve me temperatura të larta.


