OBSH paralajmëron se numri i të vdekurve mund të rritet, ndërsa temperaturat rekord vazhdojnë të godasin kontinentin.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë të ditur se më shumë se 1.300 vdekje shtesë janë regjistruar në Evropë që nga 21 qershori, si pasojë e valës ekstreme të të nxehtit që ka përfshirë një pjesë të madhe të kontinentit.
Temperaturat kanë kaluar 40 gradë Celsius në disa vende evropiane, duke ushtruar presion të madh mbi spitalet, shërbimet emergjente dhe sistemet shëndetësore. Më të rrezikuarit mbeten të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe ata që jetojnë vetëm.
Franca është ndër vendet më të prekura, ku autoritetet raportojnë rreth 1.000 vdekje shtesë, ndërsa edhe Gjermania, Polonia, Çekia dhe Hungaria kanë regjistruar temperatura rekord dhe pasoja serioze nga i nxehti ekstrem.
OBSH u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të kujdesen veçanërisht për grupet më të cenueshme. Sipas meteorologëve, në disa pjesë të Evropës pritet një lehtësim i përkohshëm i motit, por temperaturat e larta do të vazhdojnë të prekin rajone të tjera në ditët në vijim.


