Një studim i ri sugjeron se vitaminat A dhe D, të cilat janë pjesë e 13 vitaminave esenciale për organizmin e njeriut, mund të kenë rol më të gjerë në shëndetin e mushkërive sesa mendohej më parë. Përveç funksioneve të tyre të njohura, si vitamina A për shikimin dhe vitamina D për shëndetin e kockave, të dyja janë të lidhura edhe me sistemin imunitar, rritjen qelizore dhe funksionin respirator.
Hulumtimi i publikuar në revistën “Thorax”, ka analizuar rreth 1,200 fëmijë dhe 1,000 të rritur me astmë dhe ka gjetur se nivelet më të larta të vitaminës A lidhen me funksion më të mirë të mushkërive si te fëmijët ashtu edhe te të rriturit.
Në të njëjtën kohë, vitamina D është lidhur me përmirësim të funksionit pulmonar te të rriturit dhe me ngadalësim të proceseve të plakjes biologjike të qelizave të mushkërive, duke sugjeruar një efekt të mundshëm mbrojtës në nivel qelizor, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Sipas tyre, vitaminat A dhe D mund të ndihmojnë në ruajtjen dhe riparimin e indeve të mushkërive, duke mbështetur funksionin respirator në mënyrë afatgjatë. Megjithatë, ata theksojnë se studimi tregon vetëm një lidhje statistikore dhe jo një marrëdhënie shkak-pasojë.
Ekspertët e pavarur të pulmonologjisë e vlerësojnë studimin si premtues, por theksojnë se nevojiten prova më të forta, përfshirë studime klinike të kontrolluara, para se të ndryshohen rekomandimet mjekësore.
Ata gjithashtu theksojnë se ndikimi i ushqyerjes në shëndetin e mushkërive është ende një fushë në zhvillim, dhe se kuptimi i saktë i rolit të vitaminave mund të ndihmojë në menaxhimin më të mirë të sëmundjeve si astma në të ardhmen. /Gazeta Shneta/


