Aktiviteti fizik mund të rrisë gjasat që një person të lërë duhanin, ndërsa edhe një seancë e vetme ushtrimesh mund të zvogëlojë dëshirën për nikotinë për rreth 30 minuta. Kështu thuhet në një analizë të re të publikuar në revistën Journal of Sport and Health Science.
Studiuesit nga Universiteti i Adelaides në Australi analizuan rezultatet e 59 studimeve klinike, ku morën pjesë më shumë se 9,000 persona, për të vlerësuar rolin e aktivitetit fizik në procesin e lënies së duhanit.
Sipas rezultateve, personat që morën pjesë në programe ushtrimesh fizike kishin 21 për qind më shumë gjasa të mos pinin duhan për të paktën shtatë ditë dhe 15 për qind më shumë gjasa ta linin plotësisht duhanin, krahasuar me ata që nuk ushtronin aktivitet fizik.
Studimi tregoi gjithashtu se ushtrimet ndihmuan në uljen e konsumit të cigareve me mesatarisht dy cigare në ditë.
“Lënia e duhanit është një nga gjërat më të mira që një person mund të bëjë për shëndetin e tij, por është gjithashtu një nga sfidat më të mëdha. Shumë duhanpirës duan ta lënë, por metodat aktuale nuk funksionojnë për të gjithë. Prandaj kemi nevojë për strategji të tjera që mund të përfshihen lehtësisht në jetën e përditshme dhe me kosto të ulët”, tha autori kryesor i studimit, Ben Singh.
Sipas studiuesve, edhe një seancë e vetme ushtrimesh mund të ndihmojë në kalimin e momenteve më të vështira gjatë përpjekjes për të lënë duhanin.
“Dëshira për të pirë cigare mund të jetë e fortë, por zakonisht kalon. Analiza jonë tregoi se edhe një aktivitet i vetëm fizik mund ta zvogëlojë këtë dëshirë deri në 30 minuta, duke i ndihmuar njerëzit të përballojnë momentet kritike”, tha bashkautorja e studimit, Carol Maher, profesoreshë e shëndetit publik dhe shëndetit digjital në Universitetin e Adelaides.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se aktiviteti fizik nuk duhet të zëvendësojë metodat e provuara për lënien e duhanit, si këshillimi profesional apo medikamentet që ndihmojnë në uljen e varësisë nga nikotina.
Sipas tyre, ushtrimet fizike duhet të shihen si një strategji shtesë, praktike dhe me kosto të ulët, që mund të kombinohet me trajtimet e tjera për të rritur mundësinë e suksesit në lënien e duhanit.
Në fazën e ardhshme, ekipi kërkimor synon të vlerësojë se si aktiviteti fizik mund të integrohet në programet për ndërprerjen e duhanit, si dhe nëse mund të ndihmojë edhe personat që përpiqen të heqin dorë nga cigaret elektronike.


