Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pritet të nisë së shpejti realizimin e amniocentezës, një procedurë që përdoret për diagnostikimin e disa anomalive gjenetike dhe kromozomale te fetusi gjatë shtatzënisë.
Drejtori i Klinikës, Dr. Zef Ndrejaj, thotë se pajisjet janë siguruar dhe se tashmë pritet vetëm furnizimi me reagentë për të filluar procedurat.
Në një intervistë për Gazetën Shneta, Ndrejaj tha se Klinika është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për ofrimin e këtij shërbimi.
“Aparatura është e gatshme. Presim vetëm reagentët dhe të fillojmë me punë. Tash jemi në fazën e fundit që të fillojë amniocenteza,” tha ai.
Sipas tij, amniocenteza është një procedurë që u mundëson mjekëve të marrin informacione më të detajuara për gjendjen gjenetike të fetusit.
“Amniocenteza është një metodë apo procedurë që kryhet te një grua shtatzënë për detektimin e anomalive gjenetike brenda në mitër te fëmija,” tha Ndrejaj.
Ai shpjegoi se procedura realizohet përmes marrjes së një sasie të lëngut amniotik, i cili më pas dërgohet për analiza laboratorike.
“Procedura është marrja e lëngut amniotik nga jashtë përmes abdomenit në mitër, me qëllim që të bëhet detektimi i anomalive kongjenitale dhe më pas mostrat dërgohen në laborator,” u shpreh drejtori.
Sipas tij, ndërhyrjen do ta kryejnë gjinekologët, ndërsa vlerësimi laboratorik do të realizohet nga profesionistët përkatës.
“Intervenimin e kryen gjinekologu, ndërsa procedurën e analizës dhe vlerësimin e bëjnë laboratorët të cilët i kemi këtu,” tha ai.
Amniocenteza përdoret kryesisht kur ekziston dyshim për ndryshime kromozomale apo probleme të caktuara gjenetike te fetusi. Vendimi për kryerjen e saj merret nga mjeku pas vlerësimit të gjendjes së shtatzënisë dhe faktorëve të rrezikut.
Përveç këtij shërbimi, Ndrejaj bëri të ditur se gjatë këtij viti në Klinikën e Gjinekologjisë janë trajtuar edhe 75 raste në kuadër të mjekësisë fetale, e cila përfshin diagnostikimin e hershëm të problemeve të mundshme gjatë zhvillimit të fetusit.
“Me ultrazërat e teknologjisë së fundit bëjmë detektimin e anomalive brenda në mitër të bebes në tremujorin e parë, në mënyrë që të kemi mundësi të reagojmë me kohë kur është e nevojshme,” tha Ndrejaj.
Sipas tij, nisja e amniocentezës në QKUK do të shtojë mundësitë diagnostikuese për gratë shtatzëna që kanë nevojë për këtë lloj vlerësimi.



