Kur temperaturat kalojnë 30°C, shumë njerëz humbasin oreksin dhe nuk kanë dëshirë të gatuajnë. Por a duhet të ndryshojë edhe dieta ushqyese gjatë valëve të të nxehtit? Ekspertët thonë se nuk ka nevojë për ndryshime drastike, por zgjedhja e ushqimeve të duhura mund t’ju ndihmojë të përballoni më lehtë vapën, shkruan BBC.
Nuk keni nevojë për më shumë proteina
Sipas specialistëve të ushqyerjes, organizmi nuk ka nevojë për më shumë proteina gjatë një vale të të nxehtit.
Megjithatë, tretja e proteinave kërkon më shumë energji sesa karbohidratet ose yndyrnat, gjë që bën që trupi të prodhojë më shumë nxehtësi. Për këtë arsye, një biftek i rëndë mund t’ju bëjë të ndiheni edhe më të nxehur.
Në vend të vakteve të rënda, rekomandohen burime më të lehta proteinash si sallatat me bishtajore, vezët, mishi i gatuar paraprakisht, kosi grek, tofu, djathi, qumështi, arrat dhe thjerrëzat.
Edhe smoothie-t me fruta, perime, kos dhe gjalpë kikiriku janë një alternativë ushqyese dhe freskuese. Peshqit si toni, salmoni dhe karkalecat janë gjithashtu zgjedhje të mira gjatë ditëve të nxehta, transmeton Gazeta Shneta.
“Hani” edhe ujin
Djersitja gjatë vapës bën që organizmi të humbasë shumë lëngje, ndaj hidratimi është thelbësor. Përveç pirjes së ujit, ekspertët theksojnë se një pjesë e madhe e lëngjeve merret edhe nga ushqimi.
Kastravecët, domatet, marulja, selinoja, shalqiri dhe luleshtrydhet përmbajnë mbi 90% ujë. Edhe mollët, dardhat, portokajtë, rrushi, ananasi, karotat dhe brokoli janë të pasur me ujë dhe ndihmojnë në hidratimin e organizmit.
Një mënyrë e thjeshtë për të kuptuar nëse jeni të hidratuar është ngjyra e urinës. Ngjyra e verdhë e çelët tregon hidratim të mirë, ndërsa urina e errët ose me nuancë portokalli është shenjë se organizmi ka nevojë për më shumë lëngje.
Edhe pijet e ngrohta mund t’ju freskojnë
Edhe pse tingëllon e çuditshme, një filxhan çaj i ngrohtë nuk është domosdoshmërisht ide e keqe gjatë vapës.
Studimet tregojnë se pijet e ngrohta mund të nxisin djersitjen, duke ndihmuar trupin të largojë nxehtësinë.
Megjithatë, gjëja më e rëndësishme mbetet marrja e mjaftueshme e lëngjeve, pavarësisht temperaturës së pijes.
Kafeja nuk ka pse të shmanget plotësisht, por sasitë e mëdha të kafeinës mund të shtojnë urinimin dhe të favorizojnë dehidratimin.
Ekspertët thonë se një ose dy filxhanë kafe në ditë zakonisht nuk ndikojnë ndjeshëm në hidratim, ndërsa konsumimi i tepërt mund të ketë efekt të kundërt. Edhe alkooli kontribuon në humbjen e lëngjeve dhe duhet kufizuar gjatë ditëve shumë të nxehta.
Përveç zgjedhjes së ushqimeve, specialistët sugjerojnë edhe përshtatjen e orareve të vakteve.
Një mëngjes i hershëm, pushimi gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe darka më vonë në mbrëmje janë zakone të frymëzuara nga vendet mesdhetare që mund ta bëjnë më të lehtë përballimin e temperaturave të larta. /Gazeta Shneta/


