Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se bota po përballet me një rritje të ndjeshme të barrës së kancerit gjatë dekadave të ardhshme.
Sipas Raportit Global mbi Gjendjen e Kancerit 2026, numri i rasteve të reja mund të arrijë në afro 35 milionë në vit deri në vitin 2050, krahasuar me rreth 20.6 milionë raste që regjistrohen aktualisht çdo vit, transmeton Gazeta Shneta.
Raporti thekson se kanceri mbetet shkaku i dytë kryesor i vdekjeve në botë, me afro 10 milionë viktima çdo vit. Ekspertët vlerësojnë se plakja e popullsisë, rritja e obezitetit, mungesa e aktivitetit fizik, dieta jo e shëndetshme, ndotja e ajrit dhe konsumimi i duhanit e alkoolit do të kontribuojnë ndjeshëm në rritjen e numrit të rasteve në dekadat e ardhshme.
Sipas OBSH-së, megjithëse janë shënuar përparime të rëndësishme në diagnostikim dhe trajtim, miliona njerëz vazhdojnë të mos kenë qasje në shërbime cilësore. Në shumë vende me të ardhura të ulëta mungojnë barnat esenciale kundër kancerit, pajisjet e radioterapisë dhe programet efektive të depistimit, duke bërë që pacientët të diagnostikohen në faza të avancuara të sëmundjes.
Raporti tregon gjithashtu se mbi 80% e vendeve tashmë kanë hartuar plane kombëtare për kontrollin e kancerit dhe se përdorimi i duhanit ka rënë ndjeshëm në shumë rajone, duke ndihmuar në uljen e disa llojeve të kancerit. Megjithatë, OBSH vlerëson se këto përparime nuk janë të mjaftueshme për të frenuar rritjen e përgjithshme të rasteve.
Organizata u bën thirrje qeverive të investojnë më shumë në parandalim, vaksinim, diagnostikim të hershëm, trajtim dhe kujdes mbështetës për pacientët, duke theksuar se lufta kundër kancerit nuk duhet të fokusohet vetëm te zhvillimi i terapive të reja, por edhe te sigurimi i qasjes së barabartë në kujdes shëndetësor për të gjithë. /Gazeta Shneta/


