Ekspozimi ndaj metaleve të caktuara gjatë shtatzënisë dhe viteve të para të jetës mund të ndikojë në zhvillimin e trurit dhe të rrisë rrezikun për probleme njohëse dhe të sjelljes te fëmijët, paralajmërojnë ekspertët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë të SHBA-së (NIH).
Sipas NIH-së, metale si plumbi, merkuri, arseniku dhe kadmiumi mund të ndërhyjnë në zhvillimin normal të sistemit nervor, sidomos gjatë periudhave kur truri zhvillohet me ritme të shpejta. Edhe ekspozimi në nivele të ulëta, por për një kohë të gjatë, mund të ketë pasoja afatgjata, transmeton Gazeta Shneta.
Studimet tregojnë se fëmijët e ekspozuar ndaj këtyre metaleve kanë më shumë gjasa të shfaqin vështirësi në të nxënë, probleme me kujtesën dhe përqendrimin, si edhe çrregullime të sjelljes. Në disa raste janë vërejtur edhe ulje të koeficientit të inteligjencës (IQ) dhe vonesa në zhvillimin gjuhësor.
Ekspertët shpjegojnë se ekspozimi mund të ndodhë përmes ujit të ndotur, ushqimit, ajrit, pluhurit në banesa të vjetra me bojë që përmban plumb, si edhe përmes disa produkteve industriale. Për këtë arsye, gratë shtatzëna dhe prindërit këshillohen të jenë të kujdesshëm ndaj burimeve të mundshme të ndotjes dhe të ndjekin rekomandimet e autoriteteve shëndetësore.
NIH thekson se parandalimi mbetet mënyra më efektive për të mbrojtur zhvillimin e trurit. Instituti rekomandon përdorimin e ujit të sigurt për konsum, shmangien e ekspozimit ndaj kimikateve të rrezikshme, kontrollin e banesave të vjetra për praninë e plumbit dhe një dietë të pasur me hekur, kalcium dhe vitaminë C, të cilat mund të ndihmojnë në uljen e përthithjes së disa metaleve të rënda nga organizmi.
Sipas ekspertëve, nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar më mirë efektet afatgjata të ekspozimit ndaj metaleve dhe për të zhvilluar strategji më efektive për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve. /Gazeta Shneta/


